Kosova

Serbia të llogarisë në Hungarinë nëse BE-ja përfshinë Marrëveshjen Bazë në kapitullin 35-të, thotë Orban


Viktor Orban

Nëse Këshilli Evropian përfshinë Marrëveshjen Bazë dhe aneksin e saj në kornizën e negociatave ndërmjet Serbisë dhe Bashkimit Evropian, atëherë Serbia mund të llogarisë gjithmonë në Budapestin zyrtar, ka pohuar kryeministri i Hungarisë Viktor Orban.

“Është një çështje shumë e ndërlikuar dhe Serbia gjithmonë mund të llogarisë në Hungarinë”, ka thënë Orban, pa treguar se si mund të llogarisë Beogradi zyrtar në Hungarinë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ditë më parë kishte theksuar se ekziston mundësia që Marrëveshja e Ohrit të bëhet pjesë e negociatave të kapitullit 35-të në mes të BE-së dhe Serbisë.

Ndryshe, ditë më parë  Radio Evropa e Lirë, raportoi se shtetet anëtare të BE-së do të propozojnë që urgjentisht në kornizën negociuese të Serbisë për anëtarësim në Union të përfshihet edhe zbatimi i Marrëveshjes Bazë (Bruksel, më 27 shkurt, Ohër, më 18 mars), dhe të gjitha obligimeve të tjera të dalura nga marrëveshjet në kuadër të dialogut.

Sipas REL-it, ky propozim pritet që të bëhet në takimin e 12 dhjetorit në Bruksel të Këshillit për Çështje të Përgjithshme, i cili pritet të kërkojë nga Komisioni Evropian dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS) që të propozojë urgjentisht futjen e zbatimit të obligimeve nga dialogu për normalizimin e marrëdhënieve në kapitullin 35 të kornizës negociuese për anëtarësimin e Serbisë në Union.

REL thotë se ka pasur qasje në draftin e konkluza të përgatitur për këtë takim, ku thekson se nga Serbia kërkohet që të zbatojë pa parakushte të gjitha obligimet nga marrëveshjet e dakorduara me Kosovën.

“Këshilli kërkon nga Komisioni Evropian dhe përfaqësuesi i lartë [për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell] që urgjentisht të propozojnë para Këshillit, para fundit të janarit të vitit 2024, ndryshimin e kritereve në kapitullin 35 për anëtarësimin e Serbisë në BE”, thuhet në dokument.

Përfshirja e obligimit për normalizimin e raporteve me Kosovën në kornizën negociuese për anëtarësim në BE, është përmendur nga zyrtarët e lartë të bllokut si mënyrë që marrëveshja e arritur në Bruksel më 27 shkurt dhe më pas më 18 mars në Ohër, aneksi për zbatimin e saj, të bëhen “ligjërisht të obligueshme”.

Ministrat e BE-së duhet të miratojnë konkluzat e takimit të 12 dhjetorit, ndërkaq të njëjtat më pas duhet të miratohen edhe nga liderët e BE-së në samitin e Këshillit Evropian që do të zhvillohet më 14 dhe 15 dhjetor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore