Lajme

Serbia duhet ta njohë Kosovën dhe t’i ndajë rrugët përfundimisht me politikën e Millosheviç’it, thotë profesori serb


Ivan Videnoviç

Ivan Videnoviç, profesor në Universitetin e Beogradit dhe konsulent në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, në një intervistë për portalin e Vojvodinës “Autonomija”, tha se Serbia po mundohet t’i instrumentalizojë serbët në vendet fqinje dhe sipas tij, kjo gjë është vazhdimësi e politikës sipas së cilës kufijtë e ish-republikave jugosllave, tashmë që të gjitha shtete të pavarura, nuk janë përcaktuar plotësisht.

“Serbia nuk pranon që kufijtë e saj të përfundojnë aty ku janë sot, me arsyetimin se arrijnë deri aty ku shtrihet ndikimi i Kishës Ortodokse Serbe. Simbioza e shtetit dhe e kishës është shumë dashakeqe për vendet fqinje dhe për stabilitetin e tyre. Serbia ka detyrimin që përfundimisht të kryqëzojë rrugët me çdo pjesë të politikës së Sllobodan Millosheviç’it – nga marrëdhëniet me Kosovën dhe fqinjët e saj, te marrëdhëniet me Rusinë, me Evropën Perëndimore dhe NATO-n”, tha Videnoviç.

Ai theksoi se shumica e politikanëve serbë, si në pushtet ashtu edhe në opozitë, dëgjojnë se çfarë duan qytetarët, prandaj përshtaten me valën populiste (politika e turmave) që po mbretëron aktualisht edhe në Europë, ndërsa shtoi se krejt në fund, ekzistojnë katër pyetje të mëdha që politikanët në Serbi duhet t’i përgjigjen sa më shpejt të jetë e mundur.

“E para është anëtarësimi i pakushtëzuar i Serbisë në BE dhe, si hap kyç në këtë drejtim, përfshirja në sigurinë kolektive evropiane përmes anëtarësimit në NATO. Më pas vjen detyrimi për të njohur de facto pavarësinë e Kosovës dhe për të pranuar anëtarësimin e vendit [Kosovës] në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në aspektin e shlyerjes së borxhit ndaj qytetarëve tanë”, nënvizoi Videnoviç.

Videnoviç vlerësoi se largimi nga politika e ish-udhëheqësisht fashist të Serbisë, Sllobodan Millosheviç, nënkupton një gatishmëri për të pranuar përfundimisht se Serbia shtrihet në kufijtë e saj aktualë, asnjë centimetër më tej, dhe se të gjithë qytetarët që i përkasin korpusit kombëtar serb dhe nuk jetojnë në Serbi por në vendet fqinje, duhet të njihen si shtetas të atyre vendeve, ndërsa shtoi se Serbia duhet të ketë rolin e monitoruesit. 

Ai në këtë intervistë ndër të tjera ka shprehur skepticizmin e tij për planin e Perëndimit për të cilin ka shkruar gazetari dhe njohësi i çështjeve politike, Janusz Bugajski, i cili i referohej ndarjes së Ballkanit Perëndimor në tre sfera të ndikimit – Shqipërisë, Serbisë dhe Kroacisë. Po ashtu, profesori serb foli edhe bashkimin kombëtar mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe komentoi edhe nismën rajonale “Ballkani i Hapur”.

“Bashkimi mes Shqipërisë dhe Kosovës është i pamundur sepse do të minonte drejtpërdrejtë çdo ndihme politike për Ukrainën: bashkimi mes Shqipërisë dhe Kosovës do të thotë bashkim mes Krimesë dhe Rusisë. Një gjë e tillë vështirë se do të legjitimohej dhe lejohej nga Perëndimi. Në këtë kuptim, është e pajustifikueshme frika e opozitës serbe se pranimi i planit franko-gjerman dhe hyrja e Kosovës në OKB do të nënkuptonte automatikisht bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë”.

“Nuk do të ndodhë, nuk mund të ndodhë për sa kohë që po zhvillohet një luftë në Ukrainë. Jehonën e atij agresioni dhe pasojat e tij do t’i shohim për njëzet vitet e ardhshme. Kosova u bë shtet i pavarur me ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999, dhe do të mbetet e tillë. Nëse trashëgimia amerikane do të ruhet, shteti i Kosovës duhet të mbetet i pavarur nga Serbia, por po aq i pavarur nga Shqipëria. Mendoj se plani për të cilin shkruan Bugajski nuk është real”, shtoi ai.

Sa i përket nismës rajonale “Ballkani i Hapur” – inciativë e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë Veriore – në të cilën Kosova është shteti i vetëm në Ballkanin Perëndimor që ka refuzuar pjesëmarrjen në çfarëdo cilësie deri më tani, profesori serb tha se ekziston një aryse pse autoritetet kosovare kanë refuzuar t’i bashkëngjitën këtij organizmi, që thuhet se ka për qëllim përmirësimin e bashkëpunimit rajonal.

“Vështirë se mund të pranohet në Mal të Zi, Bosnjë e Hercegovinë, madje edhe në Kosovë, përderisa ekziston nacionalizmi dhe imperializmi i hapur, që është politika dominuese e strukturave politike serbe. Pra, derisa ajo politikë të braktiset, dhe kjo do të thotë shkëputje e plotë me politikën nacionaliste dhe hegjemoniste të Millosheviç’it, nuk do të ketë besim të vendeve fqinje ndaj Serbisë”, tha Videnoviç.

Vetëm kështu mund të krijohet një “Ballkan i Hapur”, potencoi Vedenoviç, i cili do t’i ngjajë vendeve skandinave, shtete në të cilat janë zgjidhur plotësisht çështjet e juridiksionit mbi qytetarët e tyre, dhe vetëm atëherë janë hapur kufijtë, duke e bërë të mundur bashkëpunimin ekonomik dhe gjithçka tjetër në raport me marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore në Ballkanin Perëndimor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore