Lajme

Serbët protestuan në Kllokot për vendin se ku do të varrosen derrat e ngordhur, Policia i largoi


Një incident ka ndodhur në fshatin Gërnçar të Komunës së Kllokotit, këtë të enjte në mes të qytetarëve të asaj zone dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, për shkak se siç pretendojnë banorët e fshatit në fjalë, në afërsi të vendbanimeve të tyre ishte caktuar një vend për varrimin e derrave të ngordhur nga murtaja afrikane.

Duke kundërshtuar këtë, ata kanë bllokuar rrugën, ndërsa policët i kanë larguar fizikisht, transmeton “KoSSev”.

Rasti i parë i murtajës afrikane në Kosovë ishte regjistruar muajin e kaluar në komunën e Kllokotit.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë konfirmoi në atë kohë se ata dolën në terren për kërkime diagnostikuese në fermë, marrjen e mostrave dhe izolimin e fermës, por edhe se ata eutanizuan kafshët dhe krijuan një shtab krize përgjegjëse për menaxhimin e situatës.

Disa banorë të fshatit Gërnçar kanë raportuar se në këtë fshat është hapur një gropë me qëllim të varrosjes së derrave të infektuar që kanë ngordhur.

Njëri prej tyre, Dushan Marinkoviç, ka thënë se vendasit nuk ishin në dijeni deri dje kur, siç shpjegon ai, erdhi një ekskavator dhe filloi të hapte një gropë, sipas tij, vetëm disa qindra metra larg shtëpive.

“Sot në mëngjes erdhën atje me një kamion dhe shkarkoi një rimorkio me derra të ngordhur”, thotë Marinkoviç.

Pas kësaj, tregon ai, banorët e zonës u mblodhën dhe bllokuan rrugën që të çon tek gropa, si shenjë revolte ndaj përzgjedhjes së vendbanimit dhe nga frika e infeksionit të mundshëm.

Marinkoviç thekson se aty kanë gjetur pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

“Kur qytetarët u rebeluan, policia gjatë protestës u tha se kryetari ishte pajtuar dhe ishte i njohur me vendin ku do të varroseshin derrat”.

Deri më tani, për këtë rast nuk ka reaguar ende kryetari i kësaj komune.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore