Kosova

Serbët po vendosin barrikada në Leposaviq


Komuna e Leposaviqit

Gjersa situata e sigurisë në Veri të Kosovës është përkeqësuar, Radio Televizioni i Serbisë, RTS, ka raportuar se në disa pika Komunën e Leposaviqit janë ngritur barrikada.

Ngritjen e barrikadave në Veri të Kosovës, saktësisht në Komunën e Leposaviqit, kanë raportuar edhe disa media kosovare.

Sipas Radio Evropës së Lirë, disa kamionë janë parkuar në mes të rrugëve në hyrje dhe dalje të Komunës së Leposaviqit.

Ndërsa sipas Kallxo.com dy kamionë janë dërguar në afërsi të Komunës së Leposaviqit, aty ku gjatë ditës kryetarët të kësaj komune, Lulëzim Hetemit, i është ndaluar hyrja në objekt.

Në anën tjetër sipas mediumit serb me seli në Kosovë, Kosovo-Online, serbët në Kosovë kanë shkarkuar zhavorr në njërën anë të rrugës që të shpie te Komuna e Leposaviqit.

Qeveria, pa pajtimin amerikan, e vendosur t’i kthejë objektet komunale në Veri

Në mesditën e së premtes në katër komunat me shumicë serbe në Veri të Kosovës u dëgjuan sirena alarmi si paralajmërime për serbët lokal të cilët më pas bllokuan qasjen për në objektet komunale të Komunës së Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Arsyeja e lëshimit të alarmit dhe rrjedhimisht tubimit të serbëve lokal në ndërtesat e Kuvendeve Komunale ka për qëllim pengimin e kryetarëve të rinj të cilët kanë tentuar të hyjnë në hapësirat e komunave.

Albanian Post pak orë më parë ka raportuar mbi aksionin e Qeverisë së Kosovës, e cila është vendosur që të marrë objektet komunale nga strukturat paralele në atë mënyrë që kryetarët e rinj ta vazhdojnë mandatin në ndërtesat e komunave.

Sipas të njëjtave burime, qeveria paraprakisht i ka njoftuar edhe ambasadat e shteteve të QUINT-it (ShBA, Britani e Madhe, Gjermani, Francë, Itali) në Kosovë, por nuk ka gjetur pajtimin e tyre për këtë veprim.

Megjithatë, institucionet e Kosovës janë të vendosura të vazhdojnë me planin.

Albanian Post ka kuptuar nga burime brenda qeverisë së Kosovës se tashmë ka urdhër që të rikthehen objektet komunale.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka urdhëruar udhëheqësit e strukturave paralele në Veri “të mos qëllojnë të parët”, pas planit operativ të Policisë së Kosovës për të marrë objektet komunale në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Këto informacione kanë ardhur tek perëndimorët, konfirmon një burim ndërkombëtar për Albanian Post.

I njëjti burim thotë se tashmë nga pala serbe është aktivizuar protokolli i sigurisë.

“Beogradi ka aktivizuar protokollin e vetë të sigurisë, urdhri është ‘Don’t shoot first (mos qëlloni të parët)”, ka treguar burimi për AP-në.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore