Lajme

Qeveria, pa pajtimin amerikan, e vendosur t’i kthejë objektet komunale në Veri


Veriu i Kosoves

Ndryshe nga Erden Atiq që u betua në objektin e Kuvendit Komunal në Mitrovicën e Veriut, Ilir Peci në Zveçan, Izmir Zeqiri në Zubin Potok dhe Lulzim Hetemi në Leposaviq u desh të betoheshin në objekte të tjera, mirëpo Qeveria e Kosovës është e vendosur që të marrë objektet komunale nga strukturat paralele dhe kryetarët e rinj ta vazhdojnë mandatin në ndërtesat e komunës.

Sipas të njëjtave burime, qeveria paraprakisht i ka njoftuar edhe ambasadat e shteteve të QUINT-it (ShBA, Britani e Madhe, Gjermani, Francë, Itali) në Kosovë, por nuk ka gjetur pajtimin e tyre për këtë veprim.

Megjithatë, institucionet e Kosovës janë të vendosura të vazhdojnë me planin.

Albanian Post ka kuptuar nga burime brenda qeverisë së Kosovës se tashmë ka urdhër që të rikthehen objektet komunale.

Përkundër kësaj, nuk do të ishte hera e parë që qeveria do të mund të tërhiqej nga vendimet për shkak të implikimeve që mund të pasojnë.

Risku do të ishte shumë i madh nëse do të ndërmerrej një veprim i tillë pa koordinim me ndërkombëtarët.

Nuk ka ende qartësi se kur mund të fillojë implementimi i planit dhe cili është saktësisht operacioni i veprimit në këtë drejtim.

Nga Policia e Kosovës nuk kanë komentuar situatën, por në terren janë parë forca policore rreth objekteve të komunave në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Albanian Post ka provuar të kontaktojë edhe me zëdhënësin e Qeverisë, Përparim Kryeziu, për informacione shtesë, por ai nuk u është përgjigjur thirrjeve të mediumit.

Telefonatave nuk u është përgjigjur as Elbert Krasniqi, ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore