Lajme

Serbët brenda dy ditësh dorëzojnë 3 mijë armë të paregjistruara dhe 125 mijë copë municion


Ilustrim

Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, pas thirrjes për dorëzimin e armëve të paregjistruara, municionit dhe mjeteve shpërthyese, njoftoi të martën se qytetarët serbë kanë dorëzuar 3 mijë armë, 125 mijë copë municion dhe 150 mjete shpërthyese.

“Në dy ditët e para të kësaj fushate janë dorëzuar më shumë armë sesa tre fushatat e fundit të mbledhura së bashku. Ftojmë edhe qytetarët tjerë që nuk kanë dorëzuar ende armët e paregjistruara që ta bëjnë këtë”, thuhet në njoftimin e autoriteteve serbe.

Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, pas vrasjeve masive në afërsi të Beogradit ku mbetën të vdekur 17 persona edhe dhjetëra të tjerë të plagosur, ka kërkuar nga qytetarët serbë të dorëzojnë të gjitha armët e paregjistruara në stacionet më të afërta policore.

Nga e hëna e 8 majit, deri më 8 qershor të këtij viti, nga kjo ministri janë shprehur se për të gjithë qytetarët serbë që i dorëzojnë armët nuk do të kenë asnjë pasojë ligjore, nuk do të mbahen penalisht përgjegjës si dhe nuk do të kenë nevojë të dëshmojnë origjinën e armës.

“Ftojmë qytetarët që kanë armë të paligjshme t’i përgjigjen kësaj thirrje, të kontaktojnë stacionin më të afërt policor dhe të dorëzojnë armët për të cilat nuk kanë dokumentacion”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Brendshme të Serbisë.

Serbia me afro 7 milionë banorë, ka më shumë se 2 milionë e 700 mijë armë në pronësi private, nga të cilat vetëm 44% janë të regjistruara zyrtarisht, sipas një analize të vitit 2018 nga “Small Arms Survey”. Kjo do të thotë se ka 39 armë për çdo 100 serb.

Niveli më i lartë i posedimit të armëve civile në Evropë është regjistruar në Serbi, kurse në botë, shteti serb renditet në pozitën e tretë. Më shumë se 1.5 milion armë që zotërojnë qytetarët në Serbi janë të paregjistruara, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka urdhëruar për “çarmatosje të madhe”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore