Shqipëria

Senatorja franceze flet për AP-në mbi marrëveshjen me Britaninë për emigrantët


Nëntor 2021.

27 persona humbën jetën.

Thirrjet e tyre për ndihmë u shpërfillën dhe ëndrrat u fundosën përgjithmonë në kufirin mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës.

Sot, gati një vit më vonë, numri i personave që kanë kaluar Kanalin La Manche me gomone është edhe më i madh.

As, tragjedia nuk shërbeu as si ndalesë për kalimin ilegal.

Më shumë se 41 mijë e 700 azilkërkues kanë mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar nga vende si Irani, Afganistani, Iraku, Shqipëria, Siria dhe Eritrea.

Sërish, Mbretëria e Bashkuar premtoi një marrëveshje “novatore” me Francën, e cila ka si synim uljen e numrit të njerëzve që mbërrijnë me gomone.

Me këtë nënshkrim, Qeveria britanike do t’i paguajë Francës rreth 72.2 milionë euro në këmbim që Franca të rrisë praninë e saj të sigurisë dhe të rrisë masat e mbikëqyrjes.

Njësoj si me tre marrëveshjet e fundit përqendrimi shkon po në forcimin e zbatimit të ligjit përgjatë vijës bregdetare franceze.

Kështu si çdo akordim i arritur, ajo lë hapësira boshe, të domosdoshme për të luftuar fenomenin e emigracionit ilegal.

“Nuk është kjo përgjigja se si ne duhet ta luftojmë këtë fenomen”.

Kështu shprehet për Albanian Post (AP), senatorja e mirënjohur franceze, Helen Conway-Mouret, e cila thekson se, situata duhet parë nga një këndvështrim tjetër.

Për të, furnizimi me më shumë mjete për forcat kufitare nuk është zgjidhja dhe nuk të çon gjëkundi.

Tanimë në Francë kjo thjesht përkthehet në një rritje të represionit, që t’i bëjë refugjatët të lëvizin dhe në lojë të futet policia ushtarake.

“Mendoj se janë harruar disa aspekte, migrimi ilegal duhet ndaluar në vendin e origjinës ku nis, konkretisht siç është faktuar në Evropën Jugore”, thotë Conway-Mouret.

Në këtë formë, senatorja kërkon një qasje më evropiane për problemin, pra që në lojë të futen edhe autoritetet evropiane.

“Emigrimi ilegal nuk është vetëm një problem britaniko-francez, por një problem që i prek të gjithë”.

Mouret thekson se, pavarësisht të gjithave fokusi duhet të mbetet te qeniet njerëzore, sidomos atyre të trafikuara.

“Rastet kanë treguar shembuj konkretë se si gra dhe fëmijë trafikohen nën tytën e armëve, e për këtë duhet të merren masa urgjente, pasi është më e nevojshme se sa vetë pikat e marrëveshjes”.

Mediat britanike kanë raportuar shpesh se një pikë tjetër e nënshkrimit është edhe ngritja e një grupi taskforce specifikisht për shqiptarët, të cilët kanë kaluar kanalin me gomone.

Nga varkat e vogla, 80% e individëve vijnë nga Shqipëria – janë shifrat zyrtare të publikuara nga ministria e Emigracionit në Britaninë e Madhe.

E shpesh shqiptarët janë vendosur nën shënjestër të institucioneve.

Senatorja franceze thotë së ka pasur akuza nga pala britanike ndryshe nuk do të kishte edhe një reagim të shqiptarëve atje, të cilët protestuan pas deklaratave përbuzëse të sekretares së Brendshme britanike, Suela Braverman.

Në përfundim të reagimit të saj për Albanian Post, Conway-Mouret thekson se nga këndvështrimi francez i ngjarjeve nuk ka një targetim të shqiptarëve.

Por thjesht një mënyrë për të ndaluar migrimin ilegal dhe se sa kjo do të funksionojë mbetet për tu parë në vitet në vijim.

Conway i qëndron idesë se fenomeni duhet luftuar, por në të njëjtën kohë duhen ofruar më shumë lehtësira për emigrimin legal.

“Të rinjve duhet tu jepet mundësia të udhëtojnë dhe familjeve mundësia që të bashkohen”.

Marrëveshje Francë-Britani, por ‘radari’ ende te shqiptarët

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore