Lajme

Selmanaj: Hajnat zakonisht i mbron avokati, në Kosovë i mbron dhe i përfaqëson Kurti


Driton Selmanaj

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti që po u del në mbrojtje “hajnave dhe shkelësve të ligjit” dhe po “sulmon dhe linçon” prokurorët dhe organet e drejtësisë në Kosovë.

Selmanaj ka reaguar nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook” të hënën, pas përpjekjeve të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kabinetit qeveritar për të arsyetuar aferat korruptive të njerëzve përreth pushtetit.

“Në vendet demokratike, hajnat dhe shkelësit e ligjit, i mbron dhe i përfaqëson avokati. Në Kosovë, i mbron dhe i përfaqëson kryeministri dhe qeveria e tij. Në vendet demokratike hajnat dhe shkelësit e ligjit, i ndjekë dhe i akuzon prokuroria”, ka shkruar ai.

Pas arrestimit të tre personave – dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) dhe biznesmenit Ridvan Muharremi “Ridi” – person i afërt me kryeministrin Kurti – nën dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore, ekzekutivi ka sulmuar Prokurorinë Speciale të Kosovës.

“Në Kosovë, prokurorët dhe organet ndjekëse, i linçon dhe i sulmon kryeministri dhe qeveria e tij. E papranueshme, e dënueshme, e gërditshme!”, ka përfunduar reagimin deputeti i LDK-së.

Gjithashtu, në dosjen e Prokurorisë Speciale thuhet se pavarësisht se janë paguar paratë te kompanitë turke e polake për grurë, vaj e sheqer në Kosovë nuk kanë ardhur kurrë 200 mijë litra vaj, 120 mijë kilogramë sheqer dhe 52.5 tonë grurë në vlerë mbi 600 mijë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore