Lajme

Seanca e së enjtes, PDK-ja e dërgon në Gjykatë Kushtetuese


Shefi i grupit parlamentar nga radhët e Partisë Demokratike e Kosovës, Abelard Tahiri, ka bërë të ditur se kanë kontestuar në Gjykatën Kushtetuese vendimin për caktimin e seancës plenare të javës së kaluar, ku kishte përleshje mes pushtetit dhe opozitës.

Por, që pastaj po atë ditë seanca kishte vazhduar kështu duke miratuar projektligje të rëndësishme njëri prej tyre edhe projektligji për pagën minimale.

Tahiri përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se kjo seancë ishte ftuar në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, prandaj nga PDK-ja është kërkuar që të gjitha vendimet të anulohen.

“Seanca e fundit plenare e Kuvendit, ishte caktuar dhe ftuar në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit, prandaj si e tillë, duhet të anulohet dhe bashkë më të, edhe të gjitha vendimet që janë marrë në këtë seancë jokushtetuese”.

Ai ka theksuar se kryetari i Kuvendit të Kosovës ka bërë dy shkelje kushtetuese.

“Si parashtrues të këtij rasti, vlerësojmë se, Kryetari i Kuvendit, ka bërë shkelje kushtetuese në dy drejtime: e para, në mospërmbushjen e afatit për thirrjen dhe caktimin e seancës plenare dhe, e dyta, duke mos e vendosur për miratim rendin e ditës të kësaj seance – në mungesë të konsensusit të Kryesisë si rezultat i mungesës së kuorumit të nevojshëm, përkatësisht dështimit të mbajtjes së mbledhjes së Kryesisë”, ka shkruar Tahiri.

Ai tutje ka sqaruar se kanë kërkuar që të pezullohen edhe të gjitha vendimet që kanë dalur nga kjo seancë të cilën e ka quajtur “jokushtetuese”.

“Si i tillë, ky vendim ka prodhuar pasoja kushtetuese dhe ligjore sepse ka rezultuar me mbajtjen e seancës plenare të ftuar sipas një procedure jokushtetuese, në të cilën janë miratuar ligje dhe projektligje si dhe vendime të tjera për zgjedhjen/shkarkimin e bartësve të institucioneve kushtetuese dhe institucioneve të pavarura”.

“Krahas kërkesës për anulimin e kësaj seance dhe vendimeve që janë marrë në të, kemi kërkuar edhe Masë të Përkohshme, që deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, të pezullohet efekti i të gjitha vendimeve që kanë rezultuar nga kjo seancë jokushtetuese”.

Lidhur me përleshjet fizike që ndodhën në Kuvendin e Kosovës të enjten e 13 korrikut Prokuroria ka nisur hetimet.

Ndërsa të premten janë intervistuar zv.kryeministri Besnik Bislimi, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Mërgim Lushtaku.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore