Lajme

Schmidt kundërshton miratimin e ligjit për kriminalizimin e shpifjes nga Republika Srpska


Christian Schmidt

Zyra e Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje e Hercegovinë ka kundërshtuar miratimin e vendimit për kriminalizimin e shpifjes nga Asambleja Kombëtare e Republikës Srpska – entiteti serb në BeH.

Sipas tyre, kriminalizimi i shpifjes jep mundësinë për të mbytur dhe censuruar liritë e medias dhe shoqërisë civile.

“Ndryshimet në Kodin Penal të Republikës Srpska, të cilat ri-kriminalizojnë shpifjen, paraqesin sulm ndaj lirive civile, që është karakteristikë e regjimeve autoritare. Këto ndryshime kufizojnë lirinë e fjalës dhe ngushtojnë hapësirën e veprimit civil, që janë themelet e një shoqërie demokratike”.

Rikriminalizimi i shpifjes në Republika Srpska, pohojnë nga zyra e Christian Schmidt “u jep autoriteteve mundësinë për të mbytur dhe censuruar liritë e medias dhe shoqërinë civile, të kufizojnë mendimin e lirë kritik dhe të heshtin kundërshtarët”.

“Edhe pa sanksione drakoniane, këto ndryshime hapin rrugën për procedura të dyshimta penale dhe degradim të lirisë dhe demokracisë në dëm të qytetarëve të Republikës Srpska”.

Ndërkaq, ata kanë theksuar se këto ndryshime paraqesin gjithashtu një hap prapa në rrugën e anëtarësimit në BE, “pasi nuk janë në përputhje me 14 prioritetet e opinionit të Komisionit Evropian”.

“OHR do ta ndjekë nga afër këtë temë, me besimin e patundur se, në një shoqëri demokratike, qytetarët duhet të jenë në gjendje të shprehin lirisht mendimin e tyre edhe kur ai mendim nuk është në përputhje me politikat zyrtare të qeverisë”.

Tutje, nga zyra e Përfaqësuesit të Lartë në BeH, kanë bërë me dije se do të jenë në kontakt të ngushtë me të gjithë aktorët relevant ndërkombëtarë lidhur me këtë çështje.

“Mbrojtja e lirisë së shprehjes dhe lirisë së mendimit, si dhe liria e papenguar e mediave për të raportuar mbi faktet, janë aspekte themelore të Kushtetutës së Bosnjë-Hercegovinës, si dhe të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit (marrëveshja që i dha fund luftës në BeH, më 1995)”.

Ndryshe, Asambleja Kombëtare e Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – në seancën e së enjtes ka miratuar ndryshimet në Kodin Penal të RS-së, përmes të cilave parashihet që sërish të penalizohet shpifja, dhe krejt kjo u bë pavarësisht protestave të komunitetit mediatik atje, aktivistëve joqeveritar dhe qytetarëve të tjerë, pasi që argumentojnë që do të kufizojë lirinë e shprehjes dhe do t’i heshtë kritikët e medias.

Nga 83 ligjvënës sa ka Asambleja e RS-së, në votim kanë marrë pjesë 63, prej të cilëve 47 kanë votuar pro, ndërsa 16 prej tyre kanë abstenuar.

Ligji tani duhet të kalojë procedurën në Këshillin e Popullit të RS-së, pas së cilës, nëse nuk ka veto, mund të hyjë në fuqi.

Mirëpo, kundër këtij ligji ka dalur ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Bosnje e Hercegovinë.

Ata kanë deklaruar se ky ligj i kërcënon qytetarët për të folur lirshëm, mundësinë e mediave të pavarura që të raportojnë për të vërtetën, e rrezikon demokracinë dhe të ardhmen euro-atlantike të Bosnjës.

Miratohet ligji i Dodik-ut për kriminalizimin e shpifjes, e kundërshton ShBA-ja

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore