Lajme

Sanksionet e ShBA-së, Partia e Vulin-it: Ai s’do të ndryshojë veprimet e tij


Aleksander Vulin

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Socialiste serbe, Bojan Torbica, ka thënë se kryetari i partisë së tij, njëherit Drejtori i Agjencisë së Inteligjencës së Serbisë, Aleksandër Vulin, është sanksionuar nga Departamenti amerikan i Thesarit, “jo për shkak të bashkëpunimit me Rusinë, por për shkak të dashurisë dhe luftës për shtetin serb dhe popullit serb”, si dhe për përhapjen e “idesë së botës serbe”.

Në një konferencë për media në Kuvendin e Serbisë, Torbica pohoi se Lëvizja Socialiste “nuk pret që këto sanksione të hiqen”, duke shtuar se Vulin “nuk do të ndryshojë veprimet e tij”.

Ndërkaq, ai theksoi se Vulin do të ishte i lumtur “nëse do të gjendej në listë me (Presidentin e Federatës Ruse, Vladimir) Putin-in dhe patriotët e tjerë”, pra personat që janë sanksionuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Tutje, deputeti serb pretendoi se “nuk janë të vërteta akuzat për bashkëpunimin e Vulin-it me krimin e organizuar”, i cili në mandatin e kaluar ishte Ministër i Punëve të Brendshme serbe.

“Aleksandër Vulin, si ministër i Brendshëm, urdhëroi dhe mori pjesë në shkatërrimin e kartelit më të keq të drogës në Serbi, Belivuk-Miljkoviç”, potencoi Torbica, duke shtuar se në të njëjtin mandat “ka kontribuar në një masë të caktuar në shkatërrimin e klanit Kavaçki dhe Skaljar”.

“Ai kontribuoi në arrestimin e Darko Elezit dhe në përgatitjen e shpërbërjes së klanit të magjistarëve”.

Po ashtu, ai theksoi se Vulin “bashkoi serbët në Kosovë”, si dhe se aty “krijoi” Partinë Listë Serbe – partia e serbëve të Kosovës, të dirigjuarit e Beogradit, posaçërisht të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Sipas tij, që nga vendosja e sanksioneve amerikane, Vulin ka marrë mbështetje të madhe nga qytetarët, jo vetëm në Novi Sad, por edhe në Nish, Beograd dhe qytete të tjera, ku nënshkruhen peticione për mbështetje.

Ndryshe, Departamenti Amerikan i Thesarit, të martën e 11 korrikut, ka sanksionuar drejtorin e Agjencisë për Siguri dhe Informacion të Serbisë, Aleksandër Vulin-in.

Futja në listë të zezë të shefit të BIA-s serbe, Aleksandër Vulin, siç njofton Thesari Amerikan, nënvizon vendosmërinë e SHBA-ve për të mbajtur atë përgjegjës për përfshirje në marrëveshje korruptive që çojnë përpara agjendat politike dhe interesat personale të tij në kurriz të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Duke arsyetuar vendimin e shpalljes “non-grata” të ministrit serb, Thesari Amerikan në njoftimin për media, mban përgjegjës Vulin-in edhe për aktet e tij korruptive dhe destabilizuese të cilat kanë lehtësuar gjithashtu aktivitetet malinje të Rusisë në rajon.

Aleksandar Vulin, sipas Thesarit Amerikan, ka qenë i implikuar në krimin e organizuar ndërkombëtar, operacione të paligjshme të narkotikëve dhe keqpërdorim të detyrës publike.

“Vulin ka mbajtur një marrëdhënie reciproke të dobishme me tregtarin serb të armëve, Slobodan Tesiç, duke ndihmuar në sigurimin që dërgesat e paligjshme të armëve të Tesiç mund të lëvizin lirshëm nëpër kufijtë e Serbisë”.

“Veprimet e Vulin kanë avancuar korrupsionin brenda institucioneve qeverisëse të Serbisë. Këto akte përfshijnë shfrytëzimin e autoritetit të tij për përfitime personale, duke përfshirë përfshirjen në një rrjet të trafikut të drogës. Ai ka përdorur pozicionet e tij publike për të mbështetur Rusinë, duke lehtësuar aktivitetet keqdashëse të Rusisë që degradojnë sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe duke i ofruar Rusisë një platformë për të çuar më tej ndikimin e saj në rajon”.

“Zyra e Departamentit të Thesarit të SHBA-së për Kontrollin e Pasurive të Huaja po e mban përgjegjës ose bashkëpunëtor Vulin-in, ose i përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në, korrupsionin në lidhje me Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë korrupsionin nga, në emër të, ose të lidhur ndryshe me një qeveri në Ballkanin Perëndimor, ose një zyrtar aktual ose ish-qeveritar në çdo nivel të qeverisjes në Ballkanin Perëndimor, siç është shpërdorimi i aseteve publike, shpronësimi i aseteve private për përfitime personale ose qëllime politike, ose ryshfet”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore