Lajme

Sallahu: Përgjimet janë porositur për ta shpërlarë PDK-në


Blerim Sallahu

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka thënë se përgjimet e publikuara ku dëgjohet shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, duke komunikuar me përfaqësuesin e Listës Serbe, Slavko Simiç, janë porositur për të “shpërlarë” Partinë Demokratike të Kosovës nga “dëmet ndaj shtetit”.

Sallahu, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, ka thënë se PDK-ja po “mundohet të pastrohet përmes Listës Serbe”, ndërsa ka shtuar se qytetarët e Kosovës “nuk ua harrojnë dëmet e mëdha që ia keni bërë vendit”, duke iu referuar ish-partisë në pushtet, tash në opozitë.

Pretendimet e Sallahut vijnë ngase në përgjimet e publikuara të martën nga “Nacionale”, zyrtari i lartë i Listës Serbe lexon një mesazh të kriminelit serb, Milan Radojçiç, në praninë e deputetes kosovare të pushtetit, i cili kishte shkruar se dëmet më të mëdha në jetë ia kishte shkaktuar pikërisht PDK-ja.

“Si është e mundur të thuhet dicka e tillë kur përfqësuesit e Listes Serbe bashkë me PDK-në dhe partitë opozitare kanë realizuar secilin dëshirë dhe qëllim për interesa tërësisht personale në dëm të shtetit të Kosovës”, ka shkruar Sallahu në llogarinë e tij.

“Kjo tregon saktë se keto audioincizime janë të porositura nga eksponent medial dhe opozitarë për ta shpërlarë sadopak PDK-në nga bashkëpunimi i ngushtë me Listên Srpska. Pra, PDK, mundohet të pastrohet përmes Listës Srpska”, ka shtuar ndër të tjera zyrtari kosovar.

Në këto përgjime flitet për takime dhe koordinime që deputetja e partisë në pushtet i ka bërë në emër të Qeverisë së Kosovës me Listën Serbe dhe kriminelin e sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe për disa nga çështjet politike në Kosovë.

Simiç paralajmëron pushtetin me “thyerje të turinjëve” nëse komunikimi me Radojiçiçin del në media

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore