Lajme

Sallahu i qorton deputetët të cilët munguan në seancën ku u miratua rezoluta për Referendumin serb: Keni shkelur betimin


Blerim Sallahu

Zëvendësministri i Drejtësisë përmes një statusi në rrjetin e tij social në Facebook ka reaguar ndaj deputetëve që kanë munguar në seancën e ditës së shtune të Kuvendit të Kosovës, ku është votuar rezoluta për moslejimin e referendumit serb në Kosovë, duke ua bërë me dije se kanë shkelur betimin e deputetëve.

Ai e ka specifikuar edhe rastin e deputetit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, i cili ka abstenuar gjatë votimit të rezolutës në Kuvendin e Kosovës.

“Për ata deputetë që munguan pa arsye dhe për deputetin që abstenoi në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës të datës 15/01/2022, të thirrur nga Kryeministri Albin Kurti. Neni 10. Betimi i deputetëve. Pas verifikimit të mandateve, deputetët betohen solemnisht”, ka shkruar Sallahu në Facebook.

Kështu ai ka publikuar edhe tekstin e deklaratës së betimit të deputetëve.

“Unë, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se me nder e me përkushtim do ta kryej detyrën time dhe do ta përfaqësoj me dinjitet popullin, do të punoj në interes të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj, do të angazhohem për mbrojtjen dhe për respektimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë, për mbrojtjen e tërësisë territoriale dhe të integritetit institucional të Kosovës, për garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, në përputhje me ligjet e vendit dhe me standardet evropiane.”

Ndryshe të shtunën e 15 janarit me 76 vota për asnjë kundër dhe një abstenim, Kuvendi i Kosovës në një seancë të jashtëzakonshme e ka miratuar rezolutën kundër Referendumit serb të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Rezoluta kundër mbajtjes së referendumit serb në territorin e Kosovës e propozuar nga Grupi Parlamentare i Lëvizjes Vetëvendosje u mbështet edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Grupi Parlamentar multi-etnik.

Ndërsa këtë seancë të jashtëzakonshme nga fillimi e kishte bojkotuar Partia Demokratike e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore