Shqipëria

Sa duhet të paguajnë shqiptarët për t’u kuruar nga Covid-19?


Ku dreqin e mora? Si u preka edhe unë nga Covid-19? A do ia dal dot?

Janë pyetjet e para që mund të bëjë kushdo që lajmërohet se është prekur nga virusi Covid-19. Por, problematikat e shëndetit janë vetëm shqetësimet fillestare. Ato që nisin bashkë me virusin, por qëndrojnë shumë më gjatë se simptomat e tij, janë problemet ekonomike të kujtdo që është infektuar.

“Kam shpenzuar 20 mijë lekë”, thotë Riko Dhima, një qytetar nga Saranda, që tashmë e ka kaluar virusin, por jo edhe shqetësimet financiare që erdhën, po s’ikën bashkë me të.

Riko rrëfen se hasi në vështirësi, pasi u sëmurën të gjithë familjarisht.

Duke qenë se s’mund të kuroheshin në kushte shtëpiake, u drejtua për te qendra spitalore e qytetit të Sarandës, ku edhe jeton.

Mjeku u rekomandoi se duhet që t’u nënshtroheshin një sërë analizash.

“Në fillim bëmë tamponët, që rezultuan pozitivë. Doktori na rekomandoi disa analiza që kryheshin në spital privat”, thotë Riko.

“U orientuam në një laborator të qytetit dhe totali i analizave kushtoi 5 mijë lekë të rinj për secilin. Gjithsej kushtuan 15 mijë lekë, duke përfshirë dhe ato të bashkëshortes dhe mamasë time”, tregon 29 vjeçari.

“Më pas, bëmë dhe grafinë e mushkërive, e cila kushtonte 3 mijë lekë personi”.

Albanina Post ka nxjerrë koston e analizave për një familje me tre persona, me simptoma mesatare të sëmundjes: ajo mund të shkojë rreth 24 mijë lekë, pa përfshirë ilaçet e kurimit.

Kujtojmë se paga minimale në vendin tonë është rreth 30 mijë lekë.

24 mijë lekë – vetëm gjysma e rrugës

Riko thotë se ato “që e rënduan akoma më shumë” ishin çmimet e ilaçeve me të cilat u kuruan.

“M’u desh tё harxhoja 8 mijё lekë vetёm pёr analizat, të cilat nuk ofroheshin në institucionet shtetërore. Megjithatё, ishin pak krahasuar me kostot e ilaçeve me tё cilat duhet tё kurohesha, të cilat për të tre veta kushtuan 45 mijë lekë të reja”.

Sipas tij, në kurë përfshiheshin një hollues gjaku, antibiotik, vitamina, shurup pёr kollёn, ilaç pёr stomakun, të cilat në total kushtonin 15 mijё lekë për person. Këto ilaçe janë të përfshira në skemën e rimbursimit të kurimit të Covid-19.

Riko thotë se nuk është në dijeni nëse ilaçet që i rekomandoi doktori ishin të rimbursueshme, por kostoja u pagua e gjitha prej tij.

Ai u shpreh se ndërkohë ka kryer një aplikim tek aplikacioni E-Albania, sipas rekomandimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, por akoma nuk ka marrë një përgjigje.

Nuk dihet përse punonjësit e shëndetësisë rekomandojnë ilaçe jashtë protokollit. Por një pjesë e madhe e pacientëve orientohen shpesh në institucione private dhe jo te spitalet rajonale shtetërore, pavarësisht se Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve të drejtohen te mjekët e familjes.

Një mjeke familjare, e pyetur për Albanian Post tha se janë vetë pacientët që kërkojnë ilaçe cilësore. Sipas saj, shumica i kryejnë analizat me vullnetin e tyre në spitale private dhe nga lista e tyre vetëm një pjesë ose asnjë mund të rimbursohen.

Sakaq, një farmaciste shpjegoi se shumica e pacientëve vijnë me receta, ilaçet e të cilave nuk përfshihen në listën e përcaktuar me rimbursim.

“Unë personalisht vetëm dy pacientë kam trajtuar me ilaçe të rimbursuara”, tha farmacistja.

Gjithashtu ajo u shpreh se recetat vijnë si nga spitalet private, edhe nga ato shtetërore.

Të njëjtën gjë për AP deklaroi dhe një farmaciste tjetër.

Kapacitetet spitalore dhe cilësia e shërbimit

Raportohen gjithashtu dhe raste ku pacientë janë trajtuar në shtete të tjera, duke paguar shifra të larta.

Një dëshmitare, e cila dëshironte të mbetej anonim, tha për AP se u detyrua të drejtohej te doktorët në Turqi, pasi “askush prej mjekëve në vend nuk i ofroi shërbim” për dy prindërit e saj të moshuar.

“Prindërit e mi u kuruan nga një doktor turk. Këtu nuk morën asnjë shërbim, pavarësisht se simptomat përkeqësoheshin. Në total, kurimi shkoi rreth 9 mijë euro, pasi u kuruan tre të moshuar. Ishte kosto shumë e lartë, por nuk mund të rrezikonim jetët e tyre, duke qenë se bënin pjesë dhe te grupet me rrezik të lartë”, thotë dëshmitarja.

Sipas të dhënave zyrtare të Autoritetit të Aviacionit Civil që, prej fillimit të pandemisë e deri në nëntor të vitit 2020, kanë udhëtuar 270 çartera vetëm për arsye mjekësore.

Ndërkohë, në një artikull të publikuar në median Balkan Investigative Reporting (BIRN), në nëntor të vitit të kaluar, një dëshmitar deklaroi se të afërmit e tij u detyruan të mblidhnin para që ta dërgonin në Turqi, pasi “gjendja e tij nuk përmirësohej, pavarësisht kurave në shtëpi dhe qëndrimit në spitalin infektiv në Tiranë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore