Lajme

Rutte paralajmëron bisedime me Kurtin e Bërnabiçin në Tiranë për uljen e tensioneve


Mark Rutte

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, në një prononcim të shkurtë para gazetarëve në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë, i cili për herë të parë zhvillohet jashtë kufijve të Bashkimit Evropian (BE), ka njoftuar se do të zhvillojë bisedime me kryeministrin kosovar, Albin Kurti dhe kryeministren serbe, Ana Bërnabiç, në përpjekje për t’i ulur tensionet.

“Sot kam mundësi të flas me kryeministren e Serbisë dhe kryeministrin e Kosovës dhe shpresojmë se të gjithë të ndihmojnë për t’i ulur tensionet”, ka deklaruar kryeministri holandez në prag të nisjes së punimeve të Procesit të Berlinit, ku pritet të adresohet edhe rrjedha e tensionuar në raportet Kosovë-Serbi pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit në veri të Kosovës.

Eskalimi në shkallë të gjerë i situatës në veriun e trazuar të Kosovës ka ndikuar substancialisht në bllokimin e ecurisë së procesit të dialogut që po i mbanë të zënë diplomatët perëndimorë përgjatë kësaj kohe, megjithëse BE-ja pret nga palët që të rikthehen në tryezën e negociatave nën kujdesin e lehtësuesve evropianë në Bruksel.

Pjesëmarrës në këtë ngjarje madhore, përveç liderëve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimorë, pritet të jenë edhe Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, komisionari i BE-së për Zgjerim, Oliver Verhelyi dhe shumë zyrtarë tjerë të BE-së e liderë të shteteve anëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore