Lajme

Rusia teston raketën hipersonike “Zircon”


Rusia vijon të tregojë forcën me lëshimet eksperimentale të raketave të reja si përgjigje ndaj njoftimit se Washington-i do t’i furnizojë ukrainasit me raketa me rreze të mesme veprimi.

Nga ana tjetër, ajo nuk arrin të fshehë vështirësitë, përfshirë gjetjen e rekrutëve të rinj për të zëvendësuar trupat e humbura në luftë.

Tani, 50-vjeçarët do të mund të regjistrohen në ushtrinë ruse për herë të parë pasi duhen më shumë ushtarë dhe ka nevojë për burra me përvojë.

E testuar disa herë që nga viti 2020, arma e re sekrete e Putin-it, u lëshua nga një anije në Detin Barents.

Referuar vetë Putin-it, “Zircon” udhëton me më shumë se tetë herë se shpejtësia e zërit dhe mund të mbajë koka luftarake konvencionale dhe bërthamore.

Po ashtu bashkohet me “Sarmat”-in, një pajisje edhe më e shpejtë me rreze të gjatë.

Por vështirësia kryesore ruse nuk është ajo e mospasjes së armëve të sofistikuara, përkundrazi, të kesh një numër të kufizuar bombash.

Në Ukrainë, Forcat e Armatosura po përdorin raketahedhës të vjetër që nuk janë aspak të sakta. Ende arrijnë të shkojnë larg dhe për këtë arsye mund të bllokohen vetëm nga pjesët e reja të premtuara nga Washington-i.

Këto të fundit mund të godasin objektiva deri në 300 kilometra larg.

Ministria e Mbrojtjes, që nga fillimi i operacioneve, nuk ka dhënë më të reja për viktimat ruse, paçka se llogaritjet perëndimore thonë se janë shumë të larta.

Në fillim, qendrat e rekrutimit u fokusuan tek emigrantët të cilëve iu ofrua leje qëndrimi në këmbim të një periudhe në front. Por kjo nuk mjaftoi.

Parlamenti nxitoi të miratonte një ligj të veçantë. Ata që dëshironin të regjistroheshin për herë të parë duhej të ishin më pak se dyzet vjeç.

Me ndryshimin mbi moshën 50-vjeëare, ministria shpreson të rikuperojë veteranët e luftërave të mëparshme.

Ekspertët, në mungesë të të dhënave zyrtare për humbjet, shikojnë lajmet që vijnë nga qarqet.

Dhe disa kanë filluar të ankohen, madje edhe midis politikanëve të Putin-it.

Në Vladivostok, dy deputetë komunistë kanë thënë se “do të kemi më shumë jetimë në vend”.

Kurse të gjithë deputetët e tjerë vendorë u distancuan menjëherë, duke e quajtur këtë “provokim politik”.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore