Lajme

“Rusia qëndron prapa sulmeve kibernetike në Mal të Zi”


Ilustrim

Ministri i Administratës Publike të Malit të Zi, Marash Dukaj ka thënë se Mali i Zi është ekspozuar ndaj sulmit më të madh të sistemit informativ dhe sipas tij, ka indikacione që këto sulme vijnë nga Rusia.

Dukaj në një konferencë për media njoftoi se Mali i Zi ka mbështetje nga ShBA-ja, Britania e Madhe dhe Franca në luftën kundër sulmeve kibernetike duke theksuar njëkohësisht nevojën për  vëmendje më të madhe kur bëhet fjalë për sigurinë kibernetike.

“Duhet të mbajmë ekspertët në sistem”, tha ministri, transmeton Radio Televizioni i Malit të Zi.

Ai shtoi se do të përcaktohet se kush qëndron pas sulmit dhe ka siguruar se të dhënat personale të qytetarëve ruhen në të gjitha aspektet – personale dhe bankare.

“Sistemi është ruajtur dhe sistemi nuk do të ketë pasoja të përhershme”, tha ai.

Kurse, Drejtori i Drejtorisë së Sigurisë së Informacionit, Dushan Poloviç, tha se janë sulmuar 150 stacione në dhjetëra institucione shtetërore.

Poloviç vlerësoi se pas këtyre sulmeve nuk qëndron asnjë individ, por, siç theksoi, është një sulm i planifikuar me kujdes, i cili gjithashtu është i përgatitur mirë financiarisht.

“Vlera e virusit që sulmoi sistemin informativ në “Dark Web” vlerësohet nga 100 mijë deri në dy milionë e gjysmë dollarë”, tha Poloviç.

“Një numër i caktuar i stacioneve të punës janë komprometuar”, përfundoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore