Lajme

Rusia planifikon konflikt të armatosur mes Kosovës dhe Serbisë, alarmon instituti për studime të sigurisë


Ilustrim

Rusia mund të nxisë Serbinë ta pushtojë Kosovën, vlerëson instituti amerikan për studime të sigurisë “Robert Lansing Institute (RLI)” në një analizë kushtuar zhvillimeve të fundit, ndërsa pretendon se tashmë ekzistojnë edhe disa raporte që sugjerojnë se Moska mund të ketë sjellë një grup të inteligjencës ushtarake në Beograd për t’u koordinuar mbi operacionin.

“Ne besojmë se operacioni do të fillojë në rajonin e Mitrovicës, ku forca speciale serbe do të veprojë së bashku me grupet e armatosura kriminale lokale, të kontrolluara nga bandat kriminale serbe dhe ruse. Disa pjesë të operacionit tashmë janë përpunuar në vitet 2021-2023, gjatë sulmeve në Mitrovicë”, paralajmëron instituti që studion operacionet hibride.

RLI konsderon se pavarësisht pranisë ushtarake të NATO-s në kuadër të misionit paqeruajtës në Kosovë (KFOR), shteti serb vazhdon të përbëjë një kërcënim për Kosovën. Në analizë thuhet ndër të tjera se Rusia synon që në rast të konfliktit të armatosur në veri të Kosovë të ketë humbje maksimale në mesin e trupave të KFOR-it, veçanërisht në dritën e luftës në Ukrainë.

“Rusia, në frontin e brendshëm, do ta përdorë konfliktin për të fajësuar NATO-n. Kjo narrativë synon territoret e pushtuara të Ukrainës nga Rusia, për t’i bërë njerëzit të besojnë se Rusia pushtoi për të parandaluar një skenar të ngjashëm në Ukrainë”, vlerëson RLI, ndërsa spekulohet se ky mund të jetë plani i presidentit rus, Vladimir Putin, në të ardhmen.

“Ky provokim synon kryesisht të gjenerojë një konflikt që NATO nuk do të mund ta kontrollojë. Operacioni në Kosovë është pjesë e përgatitjes për një konflikt edhe në Letoni. Mitrovica është një terren testimi për një skenar të ngjashëm në Latgale që u zhvillua nga Rusia në vitin 2014”, alarmon RLI, duke marrë parasysh edhe shtimin e forcave serbe përreth kufirit.

Ndryshe, për shumë vëzhgues të huaj, perspektiva e rrëshqitjes drejt skajeve të krizës nuk mund të izolohet; derisa u krijohet mundësia lojtarëve lokalë serbë të lidhur me interesat ruse të zgjerojnë hijen kërcënuese dhe të provokojnë konflikte, tani rreziku i ri-përshkallëzimit rri i varur mbi mbarë Ballkanin Perëndimor të rrethuar nga armiqësitë etnike.

Në raportin e përvjetshëm të vlerësimit të kërcënimeve globale të sigurisë, komuniteti i inteligjencës amerikane paralajmëroi ngritje të nivelit të rrezikut nga përshkallëzimi i mëtejmë i dhunës në Ballkanin Perëndimor përgjatë vitit 2024, derisa u përmenden tensionet midis Kosovës dhe Serbisë në pjesën veriore të Kosovës që karakterizuan rajonin gjatë vitit 2023.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore