Aplikacione

Rusia, në luftë me Twitter-in


Rusia ka njoftuar se po ngadalëson shpejtësinë e Twitter-it në shenjë hakmarrjeje lidhur me dështimin e pretenduar të platformës për të hequr përmbajtjen e ndaluar dhe ka kërcënuar se do ta bllokojë totalisht atë nëse nuk përmbush kërkesat.

Agjencia e lajmeve, Reuters, sqaron se masa e ndërmarrë po përshkallëzon një ngërç në rritje mes Moskës dhe mediave sociale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ngadalësimi i shpejtësisë së Twitter-it në Rusi vjen disa javë më vonë pas akuzimit nga autoritetet vendase se Twitter-i ka dështuar në fshirjen e postimeve, të cilat nxitën fëmijët të merrnin pjesë ilegalisht në protestat anti-Kremlin.

Nga ana e tij, Twitter-i nuk iu përgjigj në mënyrë të menjëhershme kërkesës për koment.

“Tradicionalisht, Rusia ka marrë një rol më të lehtë në policimin e internetit në krahasim me Kinën fqinje. Por, ndërsa tensionet e brendshme politike rreth arrestimit dhe burgosjes së kritikut më të madh të Kremlinit, Alexei Navalny-t, janë shtuar këtë vit dhe kanë prodhuar protesta në të gjithë vendin, ka bërë që ajo të sinjalizojë një linjë më të ashpër”, shkruan Reuters.

Rregullatori shtetëror i komunikimit, Roskomnadzor, përmes një deklarate ka zbuluar se Twitter-i kishte më shumë se 3 mijë postime që përmbajnë përmbajtje të paligjshme. Rregullatori e akuzoi platformën për injorimin e kërkesave të saj për fshirjen e tyre.

Twitter-i, së bashku me pesë platformat e mediave sociale, u paditën nga autoritetet ruse me pretendimin se dështuan në fshirjen e postimeve, të cilat u bënin thirrje fëmijëve të merrnin pjesë në protesta të paligjshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore