Lajme

Rusia në ‘luftë botërore’ me kombet perëndimore, thotë Vuçiç


Presidenti serb Aleksandar Vuçiç deklaroi se Rusia është në një “luftë botërore” me vendet perëndimore.

Lajmi u bë i ditur e përditshmja amerikane “Newsweek”, duke cituar intervistën për transmetuesin “Pink”.

“Duhet të kuptojmë se në mes të luftës botërore, të gjitha bisedimet se ajo është një luftë rajonale ose lokale duhet të hiqen. E gjithë bota perëndimore po lufton kundër Rusisë nëpërmjet ukrainasve. Është një konflikt global”, theksoi Vuçiç.

Serbia, e cila ka lidhje të forta me Rusinë politikisht, ekonomikisht dhe kulturalisht, deri më tani ka refuzuar të jetë në anën e Perëndimit.

Kjo, në vendosjen e sanksioneve për luftën e Putin-it kundër Ukrainës, e cila filloi më 24 shkurt.

Vendi është pothuajse tërësisht i varur nga gazi rus.

Megjithatë, në muajin mars Serbia votoi në favor të një rezolute të OKB-së.

Kjo e fundit, kërkon që Rusia t’i japë fund pushtimit dhe të tërheqë trupat e saj nga Ukraina.

Gjatë një konference për shtyp muajin e kaluar, Vuçiç pohoi gjithashtu se shumë shtete të Bashkimit Evropian janë në “një luftë të drejtpërdrejtë” me Rusinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore