Lajme

Rusia miraton ligjin për zgjerimin e ndalimit të “propagandës homoseksuale”


Në Rusi, Dhoma e Ulët e Parlamentit ka votuar njëzëri për të zgjatur ndalimin e “propagandë homoseksuale”.

Tani, çdo promovim i homoseksualitetit – përfshirë libra, filma dhe në internet – është i paligjshëm dhe mbart dënime të rënda.

Ndryshe ligji u quajt “Përgjigjja ndaj Blinken-it”, pasi sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken e ka kritikuar atë si një “goditje për lirinë e shprehjes”.

Për aktivistët, kjo është një përpjekje e mëtejshme për të shtypur komunitetin LGBT të Rusisë.

Ai u miratua me 397 vota, pa asnjë votë kundër dhe pa asnjë abstenim.

Sakaq, projektligji duhet të kalojë në Dhomën e Lartë dhe të nënshkruhet nga presidenti Vladimir Putin, diçka që shihet kryesisht si një hap administrativ.

Versioni origjinal i ligjit të “propagandës homoseksuale” u miratua në vitin 2013, duke ndaluar “propagandën e marrëdhënieve seksuale jo-tradicionale” midis fëmijëve.

Ai kategorizon çdo përshkrim pozitiv të marrëdhënieve të të njëjtit seks në mediat masive ose reklamat nën të njëjtën ombrellë si shpërndarja e pornografisë, promovimi i dhunës ose nxitja e tensioneve racore, etnike dhe fetare.

Reklamat, librat dhe filmat me prezantime pozitive të personave LGBT do të ndalohen.

Kjo ka ngritur shqetësime nga botuesit që kanë paralajmëruar se mund të prekë klasikët e letërsisë ruse.

Çdo diskutim në internet rreth temave LGBT mund të bllokohet dhe shitja e mallrave me slogane ose simbole LGBT do të ndalohet gjithashtu.

Ndërkohë, kushdo që shkel ligjin do të përballet me një gjobë deri në 6 mijë e 600 dollarë, ndërsa kompanitë mund të duhet të paguajnë deri në 82 mijë e 100 dollarë.

Të huajt dhe personat pa shtetësi rrezikojnë të burgosen ose të dëbohen nga Rusia nëse nuk respektojnë.

Aktivistët e të drejtave të njeriut dhe grupet LGBT kanë thënë se zgjerimi i ndalimit nënkupton se çdo veprim ose përmendje publike e komunitetit LGBT po kriminalizohet.

Të mërkurën, Anthony Blinken i kërkoi Rusisë të heqë dorë nga projektligji dhe “të respektojë të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e të gjithëve”.

Kurse kryetari i Duma-s, Vyacheslav Volodin, ka deklaruar se legjislacioni do të mbrojë vendin nga vlerat LGBT, të cilat ai i quajti “errësira” e përhapur nga Perëndimi.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore