Lajme

Rusia djeg sasi aq të mëdha gazi sa habit edhe ekspertët


Teksa kostot e energjisë në Evropë rriten, Rusia djeg sasi të mëdha gazi natyror.

Sipas ekspertëve, gazi do të ishte eksportuar më parë në Gjermani.

Ata vlerësojnë se uzina afër kufirit me Finlandën po djeg gaz me vlerë rreth 10 milionë dollarë çdo ditë.

Dhe janë të shqetësuar për vëllimet e mëdha të dioksidit të karbonit dhe blozës që po krijon, të cilat mund të përkeqësojnë shkrirjen e akullit të Arktikut.

Nga analiza e Rstad Energy del se rreth 4.34 milionë metra kub gaz digjen nga flakët çdo ditë në një fabrikë të re të gazit natyror të lëngshëm (LNG) në Portovaya, në veri-perëndim të Shën Petersburgut.

Shenjat e para se diçka ishte e gabuar erdhën nga qytetarët finlandezë mbi kufirin aty pranë, të cilët vunë re një flakë të madhe në horizont në fillim të kësaj vere.

Portovaya ndodhet afër një stacioni kompresori në fillim të tubacionit Nordstream 1, i cili transporton gaz nën det në Gjermani.

Që nga mesi i korrikut furnizimet përmes tubacionit janë kufizuar, me rusët që fajësojnë çështjet teknike për kufizimin. Kurse Gjermania thotë se ishte thjesht një veprim politik pas pushtimit rus të Ukrainës.

Por që nga qershori, studiuesit kanë vërejtur një rritje të konsiderueshme të nxehtësisë që buron nga objekti dhe mendohet të jetë nga djegia e gazit natyror.

Teksa kjo është e zakonshme në fabrikat e përpunimit, shkalla e kësaj djegieje ka bërë konfuz ekspertët, të cilët mendojnë se mund të jetë një vendim i qëllimshëm i marrë për arsye operacionale.

Ndërsa të tjerë besojnë se mund të ketë sfida teknike në trajtimin e vëllimeve të mëdha të gazit që po furnizohen në tubacionin Nordstream.

Kompania ruse e energjisë Gazprom mund të ketë synuar ta përdorë atë gaz për të prodhuar LNG në centralin e ri, por mund të ketë pasur probleme me trajtimin e tij dhe alternativa më e sigurt është djegia.

Po ashtu mund të jetë rezultat i embargos tregtare të Evropës me Rusinë në përgjigje të pushtimit të Ukrainës.

Sipas ekspertëve, shpenzimet financiare dhe mjedisore rriten çdo ditë që djegia vazhdon.

Çmimet e energjisë në të gjithë botën u rritën ndjeshëm pasi u hoqën bllokimet dhe ekonomitë u kthyen në normalitet.

Shumë vende të punës, industrisë dhe kohës së lirë papritmas patën nevojë për më shumë energji, duke bërë presione të paprecedentë mbi furnitorët.

Çmimet u rritën sërish në shkurt të këtij viti, pas pushtimit rus të Ukrainës.

Qeveritë evropiane kërkuan mënyra për të importuar më pak energji nga Rusia, e cila më parë kishte furnizuar 40 për qind të gazit të përdorur në BE.

Çmimet për burimet alternative të gazit u rritën si rezultat dhe disa vende të BE-së tani po sjellin masa për kursimin e energjisë.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore