Shqipëria

Rusia “Botën serbe” e konsideron “koncept humanitar që përligjet me ligj ndërkombëtar”


Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme e Federatës së Rusisë, Marija Zakharova

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme e Federatës së Rusisë, Marija Zakharova ka deklaruar se “Bota serbe është koncept humanitar që përligjet me ligj ndërkombëtar”.

Bota serbe, si një koncept i artikuluar së fundmi brenda qarqeve të Beogradit zyrtar, sipas Zakharovës, është brenda “pajtueshmërisë së ligjit ndërkombëtar”.

Mirëpo, sipas zyrtares ruse, thirrja “për të gravituar brenda ombrellës politike të Beogradit e të gjithë serbëve kudo që janë” e Aleksander Vulin-it, dhe intervistës së Ramës për “unifikimin e shqiptarëve”, nuk duhet krahasuar.

E para, sipas saj, “është humanitare”, ndërsa e dyta “e papranueshme”.

“Ne besojmë që deklaratat e Kryeministrit të Shqipërisë për bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës janë absolutisht të papranueshme. Promovimi i planeve për të krijuar Shqipëri të Madhe nuk është në vijë me Rezoultën 1244 të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara dhe rrezikon sigurinë në rajon”, ka deklaruar zëdhënësja e Kremlinit, përcjell Agjensia e lajmeve ruse, Tass.

Sipas saj, “është veçanërisht për t’u habitur shkelja e një dokumenti që është i rëndësisë themelore për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, dhe ajo deklarohet si synimi i karrierës politike të një prej liderëve të vendeve të rajonit”.

Ajo tha se gjëra të tilla nuk qëndrojnë brenda kontekstit të krijimit të Open Balkans.

”Është e befasishme se si Perëndimi nuk vëren këso thirrjes disruptive, derisa drejtojnë kritika kundër Beogradit ndaj konceptit të tyre humanitar për Botën Serbe, koncept ky i cili përligjet në akordim me ligjin ndërkombëtar”, deklaroi Maria Zakharova.

Ndërkaq edhe Mininistri i Policisë së Serbisë, dhe artikuluesi më i zëshëm i “krijimit të botës serbe”, i është drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, për kinse promovim të “Shqipërisë së Madhe”, duke thënë se “e vetmja digë që na ruan nga Shqipëria e Madhe është Bota Serbe”.

“Kur Kryeministri i Shqipërisë thotë që detyra e karrierës së tij politike është unifikimi i Shqipërisë me Kosovën, të gjithë heshtin dhe thonë të ketë përmbajtje nga të dyja palët”, deklaroi Vulin.

Ndërsa tha se “kur unë, që nuk jam Kryeministër i Serbisë, dhe flas nga vetja ime them se detyra e gjeneratës sonë është krijimi i botës serbe i gjithë rajoni kanë diçka për të thënë”, u ankua Vulin.

Sipas Vulin, “ajo çfarë u lejohet shqiptarëve, nuk guxon t’u mohohet serbëve”.

“Për shkak se të gjithë heshtin për ‘Shqipërinë e Madhe’, serbët duhet të flasin. Pengesa e vetme për ‘Shqipërinë e Madhe’ dhe forca e vetme që do t’i lejojë serbët të mos vendosin tjerët për ne është uniteti politik serb, dhe krijimi i ‘botës serbe’. Shpresoj që të gjithë ata që heshtin për njohjen e Ramës për krijimin e ‘Shqipërisë së Madhe’ do të heshtin kur ne serbët të flasim për ‘botën serbe’”, përfundoi ministri i policisë së Serbisë, Aleksandër Vulin.

Çka është bota serbe?

Por, çka është Bota Serbe, dhe çfarë do të thotë ajo brenda peizazhit politik të Ballkanit Perëndimor, peizazh ky ditë e më shumë i rënduar nga kriza të cilat peshën e tërheqjes e kanë nga Serbia?

Një prej artikuluesve të këtij koncepti të mjegullt së fundmi ishte Ministri i Policisë së Serbisë, Aleksandër Vulin, i cili e trumbetoi atë në thirrje ndaj “të gjithë serbëve”, kudo që janë, të gravitojnë brenda një sfere të vetme politike.

“Detyra e kësaj gjenerate politikanësh serbë është të krijojnë Botën Serbe, e cila do t’i bashkojë të gjithë serbët, pavarësisht se ku jetojnë”, tha ai në një tubim të Lëvizjes Socialiste Serbe në Beograd.

Për t’i dhënë kreshendo nacionalizmit, Vulin, pohoi edhe se “po qe nevoja, t’i mbrojmë edhe ushtarakisht”.

Në prill të këtij viti, Vulini me habi të panatyrshme pyeste se “si ka mundësi që kufijtë në Ballkan të jenë të pandryshueshëm”, dhe vriste mendjen se pse çështja e Serbisë nuk mund të ndreqet përmes “bashkimit të serbëve brenda një shteti të vetëm?”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore