Kosova

Rusët ankohen për zgjedhjet në Veri të Kosovës: Pati presion ndërkombëtar


Ilustrim: Sergey Lavrov

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Veri të Kosovës, të mbajtura të dielën, përfunduan qetë dhe pa asnjë incident, mirëpo siç edhe pritej pjesëmarrja e qytetarëve në këto zgjedhje ishte tejet e ulët, kjo për shkak të bojkotimit të serbëve, e të cilët janë shumicë në këtë pjesë të Kosovës.

Vetëm 1 mijë e 567 qytetarë votuan në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore që janë mbajtur të dielën e 23 prillit, apo përkthyer në përqindje vetëm 3.47 për qind, nga gjithsejtë 45 mijë e 95 qytetarë sa kishin të drejtë vote.

Lidhur me zgjedhjet në Veri ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë, sipas të cilëve me këtë proces zgjedhor Kosova po vazhdon të nxit tensione dhe të bllokojë qëllimisht bisedimet në Bruksel.

Procesi zgjedhor dhe rrjedhimisht votimi sipas MPJ-së ruse u zhvillua nën presionin perëndimor.

Zgjedhjet në Veri të cilën MPJ-ja ruse i cilëson si një “parodi” u zhvillua sipas tyre në mungesë të kushteve elementare për votim, pasi dy të tretat e qendrave të votimit ishin alternativë – kontejnerë.

“Rezultati ishte i parashikueshëm: serbët njëzëri bojkotuan këtë parodi të procesit demokratik, me 96.5 për qind të votuesve që nuk u paraqitën në qendrat e votimit. Por, pjesëmarrja e papërfillshme prej 3.5 për qind e siguruar nga numri i vogël i shqiptarëve dhe mungesa e kushteve elementare për votim (dy të tretat e qendrave të votimit ishin kontejnerë të lëvizshëm) nuk e penguan Prishtinën që në mënyrë cinike t’i shpallë zgjedhjet si suksese dhe të emërtojë fituesit”, thuhet në reagimin e MPJ-së ruse.

Zgjedhjet në Veri, pretendon më tej MPJ-ja ruse, kanë nxjerrë në pah edhe “natyrën shkatërruese” të politikave të Perëndimit në rajon.

“Zgjedhja për despotizëm, diskriminim dhe spastrim etnik nuk mund të çojë në paqe dhe marrëveshje. Në pamundësi për të shuar reflekset e rrënjosura serbofobike, tandemi SHBA-BE po e zhyt Kosovën gjithnjë e më thellë në krizë”.

Serbët të cilët nuk deshën të marrin pjesë në këtë proces zgjedhor, sipas MPJ-së ruse, kanë demonstruar dinjitet të vërtetë kombëtar, unitet dhe kohezion në një mjedis të vështirë, si dhe gatishmëri për të qëndruar krah për krah me Beogradin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore