Lajme

Rritja e temperatura në Evropë dy herë më e lartë se mesatarja globale


Në Evropë, temperaturat janë rritur më shumë se dyfishi i mesatares globale në 30 vitet e fundit.

Kështu ka rezultuar nga një raport i Organizatës Botërore Meteorologjike (WMO).

Tanimë, efektet e ngrohjes janë bërë të dukshme. Thatësira, zjarret, shkrirja e akullit.

Raporti ka paralajmëruar se, teksa trendi i ngrohjes vazhdon, nxehtësia e jashtëzakonshme, zjarret, përmbytjet dhe pasoja të tjera të ndryshimeve klimatike do të ndikojnë në shoqëri, ekonomi dhe ekosisteme.

Temperaturat në Evropë, nga viti 1991 deri në vitin 2021, janë ngrohur me një normë mesatare prej rreth 0.5 gradë Celsius në një dekadë.

Kjo ka pasur rezultate fizike: akullnajat alpine humbën 30 metra në trashësinë e akullit midis viteve 1997 dhe 2021, ndërsa shtresa e akullit në Greenland gjithashtu po shkrihej, duke kontribuar në rritjen e nivelit të detit.

Në verën e vitit 2021, Greenland pati reshjet e para të regjistruara në pikën e saj më të lartë.

Po ashtu jeta njerëzore humbi si pasojë e ngjarjeve ekstreme të motit.

Sipas raportit, në vitin 2021, ngjarjet me ndikim të madh të motit dhe klimës çuan në qindra viktima, prekën drejtpërdrejt më shumë se 500 mijë njerëz dhe shkaktuan dëme ekonomike që tejkalojnë 50 miliardë dollarë.

“Evropa paraqet një pamje të drejtpërdrejtë të një bote që po ngrohet dhe na kujton se edhe shoqëritë e përgatitura mirë nuk janë të sigurta nga ndikimet e ngjarjeve ekstreme të motit”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i WMO, Petteri Taalas.

“Këtë vit, si në vitin 2021, pjesë të mëdha të Evropës janë prekur nga valët e mëdha të të nxehtit dhe thatësira, duke nxitur zjarret. Në vitin 2021, përmbytjet e jashtëzakonshme shkaktuan vdekje dhe shkatërrime”, ka shtuar ai.

Sipas tij, ky trend ka shumë gjasa të vazhdojë, me më shumë fatkeqësi të motit të parashikuara në të ardhmen.

Ai ka parashikuar temperatura që do të rriten në të gjitha zonat evropiane me një ritëm që tejkalon ndryshimet mesatare të temperaturës globale.

Teksa klima ngrohet në 1.5 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale, ngjarjet e motit do të përshpejtohen, me reshjet gjithnjë e në rënie të verës që mund të shkaktojnë thatësira shkatërruese.

Shira ekstremë dhe përmbytje ka të ngjarë të pasojnë në muajt e mëvonshëm në të gjitha rajonet përveç Mesdheut.

Përpos këtyre, raporti pasqyron edhe lajme të mira.

Shumë vende evropiane kanë qenë të afta në uljen e emetimeve të gazeve serrë dhe emetimet e BE-së u ulën me 31 për qind midis viteve 1990 dhe 2020.

Po ashtu Evropa ka vepruar për të mbrojtur njerëzit nga efektet më të këqija të emergjencës klimatike, me sisteme ekstreme të paralajmërimit.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore