Kosova

Rizvanolli: “Trepça” është vjedhur e zhvatur, që nga viti 2008 s’ka pasur investime serioze


Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka demantuar disa raportime të mediave për situatën në minierën e Trepçës.

Prandaj, e ka parë të nevojshëm një sqarim lidhur me këto raportime, duke bërë të ditur se qe nga viti 2008 nuk ka pasur investime serioze.

“Në Trepçë kanë hyrë më se 100 milionë euro të taksapaguesve që nga paslufta, por çuditërisht nuk ka pasur asnjë investim serioz që nga viti 2008”.

Rizvanolli përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se me apo pa qëllim janë duke qarkulluar shumë të pavërteta në lidhje me situatën në Trepçë, në minierën e Statërgu.

“Më 27.01.2023 pas mesnatës ka pasur prishje të kabllos së energjisë elektrike në mes horizonteve 5 e 7 të minierës, kabllo kjo 70 vite e vjetër”.

“Është reaguar menjëherë, qysh në 03:45 me rastin e ndodhjes së aksidentit. Menaxhmenti ka reaguar menjëherë duke rivendosur kabllo të re prej 180m, brenda disa orësh pas prishjes, si dhe duke instaluar sistemin e pompimit për largimin e ujërave nga miniera”, ka shkruar Rizvanolli.

Ajo ka pohuar se nga menaxhmenti janë duke u marrë masa shtesë për të vendosur kabllo alternativa në tërë gjatësinë e kabllos nga “horizonti 1 deri në horizontin 11, me gjatësi prej 1000m”.

“Të thuhet se faktor është keqmenaxhimi apo mospuna është jo vetëm gënjeshtër, por edhe ofendim për të gjithë ata minatorë, teknikë, inxhinierë e udhëheqës të tyre që po punojnë ditë e natë për të sanuar situatën, e të cilëve ju jemi pafundësisht falënderues”.

Ofendim, sipas ministres është edhe të thuhet se Trepça duhet privatizuar.

“Të thuhet se sfidat e Trepçës janë indikator se ajo duhet privatizuar është, prapë jo vetëm e pabazuar por edhe ofenduese për inteligjencën e punonjësve të Trepçës e të gjithë qytetarëve të Mitrovicës e të Republikës së Kosovës”.

Ndër të tjera, Rizvanolli ka përmendur edhe të kaluarën e Trepçës dhe uzurpimin e saj me dekada.

“Dhjetëra prona të paluajtshme të Trepçës u lejuan të uzurpohen me dekada nga operatorë të ndryshëm. Trepça nuk kishte rregullore të punës, rregullore për menaxhim të pronës, e pothuajse për asgjë tjetër, sepse kështu ishte në interes të atyre që e kanë vjedhur e zhvatur Trepçën pamëshirshëm e në mënyrë të paskrupullt ndër vite”.

Ajo bëri të ditur se Trepça nuk është audituar nga Zyra Kombëtare e Auditimit që nga viti 2012.

“Trepça nuk u auditua nga Zyra e Kombëtare e Auditimit që nga viti 2012, derisa Kryeministri Albin Kurti nuk kërkoi auditim të saj në vitin 2021 dhe ky auditim i performancës u realizua. Ndërkohë, Njësia e Auditimit të Brendshëm në ndërmarrje ishte degraduar për vite të tëra për të pamundësuar evidentimin e parandalimin e keqpërdorimeve”.

Problemi i Trepçës nuk është me pronësi, thotë ministrja.

“Trepça është vjedhur e zhvatur ndoshta më shumë se çdo ndërmarrje tjetër publike, edhe pse kjo nuk ka qenë aq e dukshme sa tek disa të tjera, sepse ata që e kanë (keq)menaxhuar janë kujdesur që as dokumentim e auditim si duhet të mos ketë”.

Ministrja ka theksuar se me qeverisjen Kurti ka pasur përmirësime edhe në këtë drejtim.

“Pavarësisht që disave u janë prishur llogaritë e interesat, e kjo frymë e re mund të mos u pëlqejë, Trepça dhe ndërmarrjet tjera publike DO TË BËHEN E PO BËHEN, në funksion të qytetarëve e të shtetit të Kosovës, e në të mirë të punonjësve të tyre që punojnë palodhshëm e me nder!”.

“Si çdo institucion e ndërmarrje tjetër publike, jam e bindur që Trepça e ka kaluar tashmë periudhën e saj të errët dhe ajo ka një të ardhme të ndritshme”.

Në shkurt të vitit 2022, Qeveria e Kosovës ka emëruar Bordin Mbikëqyrës të Trepçës, kurse nga buxheti i shtetit për vitin 2022 ka ndarë 40 milionë euro për të financuar investimet në ndërmarrjet publike: Trepçë dhe Telekom.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore