Lajme

Rezoluta e Parlamentit Evropian: Sanksione kundër Milorad Dodik


Milorad Dodik

Parlamenti Evropian të martën përfundoi debatin për rezolutën lidhur me zbatimin e politikës së jashtme dhe të sigurisë, e cila duhet të miratohet të mërkurën, dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor iu kërkua që të harmonizojnë politikat e tyre të jashtme me politikën e jashtme të BE-së, përfshirë sanksionet.

Në lidhje me Bosnje dhe Hercegovinën, rezoluta bën thirrje për “sanksione kundër aktorëve destabilizues në Bosnje dhe Hercegovinë, duke përfshirë ata që kërcënojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të saj, veçanërisht Milorad Dodik ” dhe u bën thirrje të gjitha vendeve anëtare të votojnë për këtë hap, transmeton agjencia serbe e lajmeve “Tanjug”.

Rezoluta shpreh shqetësimin për përmbajtjen dhe “mënyrën në të cilën u ndryshuan ligji zgjedhor i Bosnjë-Hercegovinës dhe Kushtetuta e Federatës së Bosnjë-Hercegovinës, duke pasur parasysh se Përfaqësuesi i Lartë për BeH (Christian Schmidt) propozoi ndryshimet në ditën e zgjedhjeve, të cilat mund të kërcënojnë legjitimitetin demokratik dhe të forcojnë etno-nacionalizmin”.

Ndryshe, vlen të përmendet se më gjashtë janar të vitit të Ministria e Financave e Shteteve të  Bashkuara të  Amerikës njoftoi se ka vendosur sanksionone ndaj liderit nacionalist të entitetit serb në Bosnje dhe Hercegovinë.

Kur bëhet fjalë për Serbinë, rezoluta thekson se Parlamenti Evropian “shprehet i shqetësuar për nivelin e ulët të përputhshmërisë së vazhdueshme të Serbisë” me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian dhe përsërit “se kapitujt e rinj të negociatave duhet të hapen vetëm kur Serbia të forcojë angazhimin e saj për reforma në fushat e demokracisë dhe shtetit të së drejtës”.

Baza e rezolutës, siç u tha, janë ndryshimet tektonike që kanë ndodhur në arkitekurën gjeopolitike pas agresionit rus kundër Ukrainës ndërsa rezoluta i bën thirrje Komisionit Evropian dhe vendeve anëtare që ta përdorin këtë politikë si një mjet për përmirësimin e bashkëpunimit me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore