Kosova

“Revolucioni i Trungjeve”, “Lufta e Barrikadave” – Çfarë serbët po bëjnë në veri, e kishin bërë në vitin 1990 në Kroaci dhe dy vjet më vonë në Bosnje dhe Hercegovinë


Foto nga Albanian Post

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Serbi tha se ai nuk i ka urdhëruar serbët e veriut të Kosovës të vendosin barrikada.

Përtej deklarimit të tij publik, lidhja e Vuçiç-it me barrikadat në qytetet e veriut të Kosovës është e qartë.

Ato në Kosovë sa herë vendosen, vendosen nga njerëz që urdhërohen nga dy të jashtëligjshmit, Zvonko Veselinoviç dhe Milan Radoiçiç, persona shumë të afërt me Vuçiç-in dhe pushtetin në Serbi.

Por, se Beogradi qëndron prapa barrikadave nuk e tregon veç lidhja e Veselinoviç e Radoiçiç me presidentin serb, por edhe vetë historia paramilitare e Serbisë në Ballkan.

Kosova nuk është vendi i vetëm ku serbët vendosën barrikada. Kjo është një taktikë shumë e vjetër, e prezantuar këtu e 30 vjet më parë në Kroaci.

Çfarë sot njihet si “Revolucioni i Trungjeve”, ishte një kryengritje e cila filloi më 17 gusht 1990, në zonat e Republikës së Kroacisë të cilat ishin të populluara nga serbët në Kroaci.

Kishin zgjatur një vit, me eskalime të vogla, derisa përfundimisht çoi në Luftën Kroate për Pavarësi.

Serbët lokalë në fshatin Berak kishin vendosur barrikada fillimisht për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve.

Serbët në Kroaci filluan të kundërshtonin autoritet deri në mosnjohje. Ata përkraheshin nga Slobodan Millosheviç në Beograd.

Nga qershori 1990, serbët-kroatë hapur refuzuan qeverinë e re.

Serbët në institucione të Kroacisë kishin refuzuar të nënshkruanin “dokumentet e besnikërisë” dhe ishin përjashtuar.

Disa policë që i takonin komunitetit serb ishin arrestuar pasi ishin vënë hapur në përkrahje të “milicisë së krahinës”.

Të udhëhequr nga Milan Babiç dhe Milan Martiç, serbët lokalë filluan të bllokonin rrugët që lidhnin Dalmacinë me pjesën tjetër të Kroacisë.

Bllokadat kryesisht ishin bërë nga trungje me drunj të prerë në pyjet afër, përçka edhe ngjarja sot njihet si Revolucioni i Trungjeve.

Image
Barrikadat në Kroaci, viti 1990

Organizatorët ishin të armatosur me armë ilegale.

Njëjtë siç ndodhë sot në Kosovë, organizatorët e bllokadave kishin tentuar të përhapnin propagandën se serbët “po terrorizohen nga qeveria kroate” dhe se po luftojnë për të drejtat e tyre.

Me 22 dhe 23 nëntor të vitit 90-të një veturë e policisë ishte goditur me breshëri plumbash afër vendit të quajtur Obrovac dhe një nga policët, 27 vjeçari Goran Alavanja, kishte vdekur nga plagët.

Për ata që kanë përcjellur zhvillimet në Kosovë, ngjashmëria e situatës është shokues, përkundër se kanë kaluar 30 vjet.

Njëjtë serbët që punonin në institucionet e Kosovës u larguan, derisa policët serbë refuzuan të zbatojnë urdhrat dhe një pjesë e tyre iu bashkuan bandave në veri.

Po njëjtë, një veturë e policisë u godit me breshëri plumbash nga këto banda dhe një polic u plagos

Fatmirësisht në këtë rast, Ekrem Neziri u shpëtoi plagëve.

Ndërsa në Kroaci, pas sulmeve të njëpasnjëshme ndaj policisë dhe vendosjes së barrikadave, komunat e Kninit, Benkovacit, Vojniçit, Obrovacit, Graçacit, Dvorit dhe Kostajnicas shpallën “Regjionin autonom serb të Krajinas”.

Më pas, siç dihet, do fillonte lufta në Kroaci deri në çlirimin përfundimtar dhe shtrirjes së sovranitet të shteti kroat.

Serbët megjithatë nuk do të prisnin 30 vjet për të përsëritur veprimin e njëjtë me barrikada në rrugë.

Është edhe një rast tjetër para Kosovës, kur kishin bërë saktësisht të njëjtin veprim.

Vetëm dy vjet pas rastit në Kroaci, “politika e barrikadave” do përsëritje në Bosnje dhe Hercegovinë.

Image
Serb nga Bosnja i maskuar prane barrikadave, 1992

Me 29 shkurt dhe 1 mars ishte mbajtur referendumi për pavarësinë. Forcat politike serbe në Bosnje kishin deklaruar se vendimi për referendumin ishte jo kushtetuese, sepse nuk u arrit me pajtimin e të gjitha palëve dhe u bën thirrje serbëve ta bojkotonin daljen në votim.

Ata që votuan, kryesisht boshnjakët dhe kroatë, votuan për pavarësi.

Rezultati do fillonte atë që do njihej më pas si “lufta e barrikadave”. Serbët do të ngitnin barrikada në pjesë të Sarajevës duke i shpallur të pavarura nga shteti boshnjak.

Ata udhëhiqeshin nga lideri i tyre Radovan Karadgjiç. Kjo situatë më pas do çonte në Rrethimin e Sarajevës, rrethimi më i gjatë i një kryeqyteti evropian në historinë e vonë.

Duke pasur ngjashmëri kaq të mëdha përkundër se kanë kaluar vite, Dragan Popoviç, drejtor i Qendrës për Politikë Praktike në Beograd, në një intervistë për Danas i pyetur rreth besueshmërisë së Vuçiç, kur thotë se nuk është i përfshirë në barrikada, ftoi serbët të kthehen 30 vjet prapa.

“Hera e fundit kur politika radikale sundoi në Serbi dhe mbështeti trungjet dhe barrikadat në Kroaci në vitin 1990, përfundoi tragjikisht për të gjithë, por mbi të gjitha për njerëzit që qëndruan në barrikada. Do të ishte mirë që qytetarët e veriut të Kosovës ta kujtonin këtë mësim historik”, deklaroi ai.

No description available.
Barrikadat e vendosura nga serbet ne Kosove, viti 2022

Dallimi i vetëm në këtë situatë të barrikadave që vijnë nga historia 30 vjecare, është se Kosova mbrohet nga forcat e NATO-s dhe në Kosovë, ndryshe nga sa në Kroaci dhe Bosnje, ka prezencë të madhe ndërkombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore