Kosova

Revokimi i çuditshëm i urdhër-arrestit për Milan Radoiçiq-in – “ia mundësoi lidhja me politikën”


Prokuroria Speciale e Kosovës i ka bërë kërkesë Gjykatës Themelore në Prishtinë për tërheqjen e urdhër-arrestit ndaj Milan Radoiçiqit, i cili dyshohej për veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviç dhe Themelorja ia ka aprovuar.

Kjo kërkesë mund të nënkuptojë se Prokuroria nuk e konsideron më të dyshuar Radojçiqin.

Avokati Artan Çerkni, ka treguar për Albanian Post, se në çfarë rastesh Prokuroria bën kërkesa të tilla.

“Meqenëse për të është lëshuar urdhër-arresti dhe në ndërkohë është kërkuar që ai të revokohet, ka gjasa që Prokuroria këtë person nuk e konsideron si të dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviçit”, shpjegon Çerkini.

Kërkesa e Prokurorisë dhe aprovimi nga Gjykata ka ngjallur reagime të shumta në Kosovë, por çudia është se vetë Radoiçiq dhe as avokati i tij, nuk janë në dijeni fare se diçka e tillë ka ndodhur.

Avokati i tij, Zhivojin Jokanoviç, në një prononcim për Albanian Post, thotë se as ai e as klienti i tij nuk din gjë për këtë zhvillim.

Ata, sipas Jakonvoç-it, askush nuk i ka lajmëruar.

“Deri më tash nuk kam marrë asnjë njoftim, po presim ndoshta vjen sot ose nesër”, tha shkurt Jokanoviç.

Avokati serb, pas konfirmimit se nuk kanë pranuar diçka nga organet e drejtësisë, ka folur përsëri për, siç thotë ai, pafajësinë e klientit që mbron.

Pohon se klienti i tij nuk ka gisht në vrasjen e Ivanoviçit.

“Kemi qenë në kontakt me Radojeçiqin, ai nuk ka informata për këtë vendim të Prokurorisë. Ai më ka thënë se nuk ka lidhje me vrasjen e Ivanoviçit, por është larguar nga Kosova pasi kishte informata se do të likuidohet”.

Ndërkohë, në aktvendim të Gjykatës, thuhet se “pas shqyrtimit dhe analizimit të kërkesës së Prokurorisë Speciale për tërheqjen e urdhër-arrestit ndaj të dyshuarit, konstatohet se kërkesa është e arsyetuar mirë”.

“Nuk ka mundur që i dyshuari të sillet para organeve të drejtësisë, respektivisht në Prokurorinë Speciale, për shkaqe teknike dhe taktike të hetimit më të mirë të veprave penale e që dyshohet se i njëjti është i përfshirë në kryerjen e tyre”, thuhet në aktvendimin e Gjykatë Themelore në Prishtinë.

Por, kryetarja e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova, Rada Trajkoviç tha për  Albanian Post se Radojeçiq ishte i fuqishëm pasi kishte mbështetje të Prishtinës e Bogradit.

“Askush nuk është i rrezikshëm vetë. Por nëse ai ka mbështetjen e institucioneve serbe dhe kosovare me shumë para, atëherë ai është i rrezikshëm”, tha ajo.

Ish-deputetja e Kosovës kërkon që këtë rast ta trajtojë Gjykata Speciale.

“Definitivisht me rastin e Olver Ivanoviçit duhet të merret Gjykata Speciale”, pohon ajo.

Në anën tjetër menaxher i programit për sundim të ligjit dhe anti-korrupsion në organizatën ÇOHU, Genc Nimoni, thekson se “ky revokim i fletarrestimit për Radojeçiq do të arsyetohej nëse ky i fundit do të bashkëpunonte me drejtësinë kosovare”.

“Nëse ky i dyshuar kishte qenë bashkëpunues me drejtësinë e gjithashtu i qasshëm çdo herë për drejtësinë, mund të arsyetohet disi, mirëpo as njëra dhe as tjetra nuk ka qenë evidente në këtë rast”, potencoi Nimoni.

“Marr parasysh lidhjen e tij me politiken, në veçanti edhe me atë të Beogradit, përderisa gjykata dhe organet e drejtësisë nuk tregojnë arsyet për heqjen e këtij letërreshtimi, dyshimi kryesor mbetët se kjo heqje ka ndodhur më shumë për shkaqe politike”.

Nimoni shton se “kjo vazhdon të shpërfaqë tutje gjendjen e brishtë në drejtësi dhe gjithashtu, mungesën e rezultateve në zbardhjen e rasteve të kësaj natyre dhe raste të tjera të shumta në gjykatat e Kosovës”.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar lidhur me revokimin e urdhëratësit ndaj Milan Radojçiqit.

Me anë të një komunikate për media, Vetëvendosje kanë thënë se një vendim i tillë i Gjykatës Themelore përbën skandal dhe rrezik, duke thënë se kushdo që ka marrë këtë vendim të papritur, e sheh si larje të borxheve të mëhershme apo kusht për aleancat e reja të nëntokës e parapolitikës.

Më 23 nëntor të vitit të 2018, Policia e Kosovës zhvilloi një operacion të kërkimit në veri të vendit me qëllim të arrestimit të Milan Radoiçiq i cili nuk u gjet në vendqëndrimin e tij ndërsa gjatë këtij operacioni u arrestuan katër persona.

Lideri i Nismës Qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi”, Oliver Ivanoviq, ishte qëlluar për vdekje mëngjesin e 16 janarit të vitit 2018.

Që nga ajo kohë, Prokuroria Speciale e Kosovës ka arritur t’i dëgjojë 40 dëshmitarë dhe t’i identifikoje tre persona që dyshohet se janë të përfshirë në vrasjen e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore