Lajme

Retorika e Kurtit dhe Vuçiçit është alarmante, thotë profesoresha amerikane


Tanya Domi

Në kontekstin e komplikuar të situatës në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, Tanya Domi, profesoreshë nga Universiteti i Kolumbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe njohëse e zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, ka ngritur alarmin pas përshkallëzimit të dyanshme të retorikës në Prishtinë e Beograd.

Ish-zëdhënësja e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Bosnje dhe Hercegovinë, në një intervistë për rrjetin ndërkombëtar të lajmeve “Al Jazeera”, ka konsideruar se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë bërë shumë të rrezikshme kohën e fundit.

“Situata aktuale ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është shumë e rrezikshme dhe argumentet retorike të presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti jo vetëm që po përshkallëzohen, por polemika e tyre është edhe tejet alarmante”, ka thënë profesoresha amerikane.

Prandaj, ajo ka potencuar se marrëveshja e fundit për qetësimin e situatës në veri të Kosovës është një zhvillim pozitiv në ndaljen e përshkallëzimit të mëtejshëm, ndërsa ka sugjeruar se ndonëse më qetë javët e fundit, situata duhet të monitorohet çdo ditë nga Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR).

Në kohën kur pritet të rifillojë dialogu Kosovë-Serbi në Bruksel, diplomatët evropianë kërkojnë që palët të kontribuojnë në krijimin dhe ruajtjen e atmosferës së normalizimit të marrëdhënieve, pajtimit dhe zbatimit të shpejtë të angazhimeve të ndërmarra në fund të shkurtit në Bruksel e më pas në mes të marsit në Ohër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore