Lajme

Republikanët bllokojnë komisionin hetimor për sulmet në Capitol


Senatorët republikanë në Senat kanë bllokuar amendimin e një ligji, i cili përkufizonte ngritjen e një komisioni hetimor të posaçëm për sulmet që ndodhën në Capitol Hill pas protestës së thirrur më 6 janar nga ish-presidenti amerikan, Donald Trump.

Në atë që më vonë u cilësua si bastisja e Capitol-it, mbetën të vrarë pesë persona dhe mbi 140 të tjerë u plagosën.

Projektligjit i duheshin 10 vota republikane për t’u kaluar. Por, këto të fundit nuk arritën të siguroheshin nga demokratët.

Rezultati përfundimtar u ndal në 54 pro dhe 35 kundër. Kjo tregon një vullnet bipartizan për hetimin e plotë të ngjarjes. Por, për të kaluar, 60 vota ishin të kërkuara.

Vetëm gjashtë republikanë e votuan pro amendimin. Ata ishin senatorët Mitt Romney, Susan Collins, Bill Caddidy, Rob Portman, Lisa Murkowski dhe Ben Sasse.

Shumica e republikanëve nga ana tjetër, vazhdojnë të mbështesin në shumicë Trump=in në ideologji. Ky votim e vërtetoi rishtazi qasjen pro-Trump të republikanëve.

Ngjarja e 6 janarit tronditi jo vetëm SHBA-të, por gjithë botën. për faktin se Trump-i nuk e pranoi rezultatin e zgjedhjeve, ai thirri një protestë masive të mbështetësve të tij jashtë ambienteve të tempullit të demokracisë amerikane.

Tonet e Trump ishin jo të qeta gjatë fjalës, ku shpesh u shfaqën edhe citime, të cilat demokratët i cilësuan si “nxitëse të dhunës”. Pikërisht për këto veprime, kongresmenët demokratë kërkuan shkarkimin e Trump-it, por ai i shpëtoi votimit në Senat.

Nga ana tjetër, një hetim i plotë dhe i pavarur ende nuk është ndërmarrë për 6 janarin e 2021-shit. Kryekongresmenja Nancy Pelosi e kërkoi me ngulm një hetim të ngjashëm me atë të 11 shtatorit 2001, për kullat binjake në New York.

Sipas saj, bastisja e Capitol-it është një akt terrorist i brendshëm.

Por, me këtë votim, duket se hetimi i kërkuar është larg realizimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore