Shqipëria

RENEA mbërrin në ambasadën iraniane, skadon afati 24 orësh


Njësia anti-eksploziv e forcave speciale “RENEA” ka mbërritur në ambientet e ambasadës iraniane në Shqipëri.

Kjo, për të krijuar një perimetër sigurie në këtë hapësirë.

Procedura rutinë po zhvillohet para hyrjes së agjentëve të Antiterrorit për të përmbyllur inventarin e zyrave të ambasadës.

Sipas të dhënave paraprake, bëhet me dije se nuk ka asnjë personel nga misioni diplomatik iranian në ambasadë.

Diplomatët iranianë dogjën gjatë orëve të para të 8 shtatorit dokumentet, orë përpara se të largoheshin nga vendi.

Kjo, pasi Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin, duke akuzuar Republikën Islamike për një sulm kibernetik në muajin korrik.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama deklaroi të mërkurën e 7 shtatorit se kishte urdhëruar diplomatët dhe stafin iranian të mbyllnin ambasadën dhe të largoheshin nga vendi brenda 24 orëve.

Rama tha se sulmi kibernetik i korrikut ka “kërcënuar të paralizojë shërbimet publike, të fshijë sistemet dixhitale dhe të hakojë të dhënat shtetërore, të vjedhë komunikimin elektronik të qeverisë në intranet dhe të shkaktojë kaos dhe pasiguri në vend”.

Washington-i, aleati më i afërt i Shqipërisë, fajësoi gjithashtu Iranin për sulmin dhe premtoi “të ndërmarrë veprime të mëtejshme për ta mbajtur Iranin përgjegjës për veprimet që kërcënojnë sigurinë e një aleati të SHBA-ve”.

Teherani zyrtar ka dënuar ashpër vendimin e Tiranës për të ndërprerë marrëdhëniet e saj diplomatike duke i quajtur si “pretendime të pabaza” arsyet e Shqipërisë për këtë masë.

Paraditen e së enjtes situata ka qenë e qetë jashtë ambasadës iraniane në Tiranë e cila ndodhet vetëm 200 metra larg Kryeministrisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore