Sport

Rekord i shitjes së fanellave të Messi-t


Në 24 orët e para, që pas arritjes së Lionel Messi-t në skuadrën e Paris Saint-Germain, klubi francez ka shitur hiç më pak se 832 mijë fanella me emrin e gjashtë herë fituesit të topit të artë në shpinë.

Sipas gazetës “Marca”, nga shitja e këtyre fanellave, të ardhurat variojnë nga 105 deri në 156 milionë euro, prej të cilave klubi mban rreth 10 për qind të shitjeve, andaj që rreth 10 deri në 15 milionë euro thuhet se janë fitimet e PSG-së në ditën e parë nga shitja e fanellave të Messi-t.

Messi u zyrtarizua te PSG me parametra zero, pasi që nuk vazhdoi kontratën me klubin e Barcelonës, aty ku kaloi plot 21 vite karrierë.

Argjentinasi nënshkroi një kontratë dyvjeçare me gjigantin francez, duke përbërë një sulm mbresëlënës, së bashku me Kylian Mbappe dhe Neymar.

Mirëpo, nënshkrimi i tij nuk ishte krejtësisht falas, pasi që ai do të përfitojë një pagë shumë të lartë, prej 35 milionë eurove në sezon.

Megjithatë, nga shitja rekord e fanellave të 34-vjeçarit, siç po shihet ja ka vlejtur paga e lartë që do të përfitojë ai në dy vitet e ardhshme.

Vlen të ceket se rekordin për shitjen e më së shumti fanellave në 24 orët e para pas transferimit, e mbante Cristiano Ronaldo, i cili shiti 520 mijë fanella brenda 24 orëve në Juventus.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore