Kosova

“Rekord i koronarografive”, thotë Vitia për vitin 2023


Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Sipas ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia dhe drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), Elvir Azizi, gjatë vitit 2023 është shënuar “rekord i koronarografive” në klinikën e Kardiologjisë.

Përmes një shkrimi në rrjetin social nga ministria e Shëndetësisë, është bërë i ditur numri i koronarografive që janë realizuar gjatë këtij viti në krahasim me vitin 2022.

“Ministri Vitia u informua nga Drejtori i Klinikës së Kardiologjisë, Dr. Lulzim Kamberi për progresin pozitiv që gjatë këtij viti në Klinikën e Kardiologjisë janë realizuar 4050 koronarografi, shifër kjo që shënon një rritje impresionuese prej 1 mijë e 121 koronarografi më shumë se në vitin paraprak”, thuhet në komunikatë.

Në ngjarjen e shënimit të punës rekord të ofrimit shërbimeve shëndetësore për qytetarët gjatë vitit 2023 në Klinikën e Kardiologjisë, është thënë se janë bërë edhe mbi 3 mijë stentime dhe 2 mijë procedura të stentimeve.

“Ministri Vitia u njoftua edhe për numrin e vizitave ambulatore në këtë klinikë, ku brenda këtij viti janë ofruar 16733 shërbime ambulatore në ambulancat specialistike në Klinikën e Kardiologjisë. 2669 më shumë se sa viti i kaluar”.

Edhe këtë vit ministri Vitia theksoi se kanë për qëllim zvogëlimin e listës së pritjes.

“Ministri Vitia e vlerësoi përkushtimin dhe angazhimin e palodhur të stafit të Klinikës së Kardiologjisë dhe potencoi se me qëllim të zvogëlimit të listës së gjatë të pritjes dhe jo vetëm, Ministria e Shëndetësisë ka prezantuar Planin e Veprimit për Kardiologjinë invazive në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit, plan ky i buxhetuar në 4,612,110.85 E”.

Sipas kreut të dikasterit, ky plan përfshin një investim të rëndësishëm në infrastrukturë dhe personel, duke synuar rritjen e numrit të procedurave invazive kardiake, rritjes të numrit të kardiologëve intervent, infermierëve dhe stafit mbështetës, si dhe orarit të ri.

Para një muaji Vitia, gjatë vizitës në Klinikën e Onkologjisë kishte deklaruar se është eliminuar lista e pritjes, e kjo sipas tij është bërë për shkak të sigurimit të aparatit të ri.

MSH-ja përmes një komunikate për media kishte deklaruar se janë afër 1 milion euro për investime të reja në këtë klinikë, që parashihet zgjerimi i shtretërve, shërbimeve, por edhe rinovime te hapësirave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore