Shqipëria

Regjistrat e Kadastrës së Durrësit u gjetën të dëmtuara, Prokuroria nis hetimet


Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet lidhur me dëmtimet që u janë bërë regjistrave të pasurive të paluajtshme të Kadastrës së Durrësit.

“Nisur nga faktet e bëra publike në media për kontrollin e ushtruar në Kadastrën e Durrësit dhe konstatimin e dëmtimeve në regjistrat e pasurive të paluajtshme të regjistruara në zonën bregdetare të Durrësit si Plazh, Spitallë, Lalëz, Draç, Rodon etj., Prokuroria ka nisur hetimet për veprat penale të parashikuara nga nenet 186 e 248 të Kodit Penal”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë për mediat.

Sakaq, theksohet se është ngritur një grup hetimor i përbërë nga prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore për hetimin e plotë të çështjes.

Dy ditë më parë, drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës, Artan Lame, në një konferencë për shtyp ka bërë me dije se në Drejtorinë e Durrësit nga ngritja e një grupi pune, që ka inventarizuar shkresat, është nxjerrë një raport prej 600 faqesh të detajuar.

“Interesat pasurore dhe ekonomike në Durrës arritën më shpejt në Durrës. Për shkak të këtyre interesave kishte edhe një dëmtim më të lartë. Siç jeni në dijeni për shumë vite, kjo është një pjesë e turpit”, u shpreh Lame.

Sakaq, që prej marrjes së detyrës, Lame ka njoftuar se Kadastra e Durrësit do të mbyllej dhe do të zhvendosej në Tiranë.

Që në krye të herës, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pasi mori mandatin e tretë qeverisës, ka theksuar në daljet e tij procesin e digjitalizimit.

Lame, nga ana tjetër, ka deklaruar më herët se janë 56 milionë dokumente që do të digjitalizohen dhe kartelat e pasurisë do të jenë online.

Si Rama, edhe Lame ka njoftuar se ky proces zvogëlon hallkat dhe puna do të kryhet më me shpejtësi.

Funksionimi i Kadastrës ka qenë shpesh i kritikuar, ku Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) në auditimin e tij të fundvitit, me temë “Efektiviteti i procesit të legalizimit dhe ndikimi në administrimin e pasurisë publike”, bëri me dije se shtrirja në kohë e procesit të legalizimit është përtej afateve ligjore të parashikuara.

Duke u kthyer kështu në një proces të tejzgjatur.

Kështu, sipas KLSH-së, është denatyruar objektivi kryesor i këtij institucioni “për të rregulluar efektin e madh social të ndërtimeve informale”, dhe ka “inkurajuar” tërthorazi ndërtimet informale, dhe jo reduktuar ato.

Ecuria e tij ka hasur paqëndrueshmëri ndër vite në miratimin e lejeve të legalizimit, kjo e ndikuar kryesisht nga fakti se planet rregulluese vendore të bashkive nuk kanë qenë të përditësuar me ndryshimet demografike që kanë ndodhur në një zonë të caktuar.

“Qasja e deritanishme legjislative dhe organizative për procesin e legalizimeve është e drejtuar kah përmirësimit, por ende evidentohen problematika thelbësore”, shkruhej në raport.

Gjithashtu aty theksohej se, reduktimi i kritereve për legalizim nuk ka eliminuar tërësisht aspektet burokratike ndaj shërbimit të qytetarëve, njëkohësisht vërehet se ka ulur nivelin e garancive ligjore që mbrojnë pronën publike veçanërisht zonat bregdetare.

Janë rekomanduar gjashtë masa për përmirësim ligjor, kryesisht me fokus mbrojtjen e zonave bregdetare nga ndërtimet informale dhe mbrojtjen e pasurive shtetërore, si dhe 23 masa organizative.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore