Lajme

Refuzohet sërish kërkesa e Hashim Thaçit për lirim nga paraburgim


Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Sërish Kolegji i Apelit të Gjykatës Speciale, ka hedhur poshtë kërkesën e mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi për lirim nga paraburgimi.

Sipas Apelit, gjyqtari i procedurës paraprake nuk ka gabuar në konstatimin se periudha që Thaçi ka kaluar në paraburgim mbetet e arsyeshme.

Në vendim thuhet se Kolegji urdhëron Thaçin dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar që të paraqesin publikisht versionet e tyre të redaktuara brenda dhjetë ditëve nga marrja e njoftimit për këtë vendim.

Më 26 tetor të vitit 2020 në Gjykatën Speciale në Hagë ishte konfirmuar aktakuza ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.

Akuza ndaj tyre në kohë shtrihet midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.

Gjykata Speciale në Hagë.

Aktakuza pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të “ndërmarrjes kriminale të përbashkët” kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

Më 25 shtator në Prishtinë janë arrestuar edhe krerët e Organizatës të Veteranëve të Luftës (OVL) të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Më 7 tetor, dy udhëheqësit e shoqatës u deklaruan të pafajshëm për akuzat që përfshijnë pengimin e drejtësisë, frikësimin e dëshmitarëve, hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Të dy të pandehurit i thanë kryetarit të trupit, Charles Smith, se ishin të pafajshëm për të gjitha akuzat.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale hetojnë krimet e supozuara të luftës të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore