Shqipëria

“Refugjatët afganë do të zvogëlojnë pakicat greke”


Një sërë mediash dhe portalesh greke kanë sulmuar vendimin e autoriteteve shqiptare, për mikpritjen e afganëve – të ikur nga një Kabul i rrënuar prej luftës – me akuzën se këto angazhime do të zvogëlojnë pakicat greke.

Website i lajmeve europost.gr ngre alarmin për atë që ajo e quan si “plan për dehelenizimin e jugut të Shqipërisë nga pakicat greke”, që jetojnë atje.

Sipas saj, ky plan ka filluar të zbatohet dhe t’i paraqitet publikut ndërkombëtar me një “mantel humanitar”.

Europost akuzon se numrat nuk janë të vërtetë, duke përafruar shifra të mbi 70 mijë afganëve.

Kjo, e mbuluar nga “financimet bujare prej shumë miliardë eurosh nga Kombet e Bashkuara, Shtetet e Bashkuara, NATO, Bashkimi Evropian etj”.

Ajo u “hakërrehet” më pas autoriteteve greke për mosangazhimin e treguar, lidhur me “planin famëkeq” të zvogëlimit të pakicave greke.

Europost, ndryshe nga mediat e tjera që aludojnë se të ardhurit e parë në Shqipëri kanë qenë të përzgjedhur nga organizatat sorosiane, shkruan se mediat shqiptare po përpiqen t’i mbulojnë afganët, si personalitete me grada.

Të njëjtin “shqetësim” ndan edhe portali grek “News Break” (NB), që e konsideron me ironi një “dhuratë nga qielli” për kryeministrin shqiptar, Edi Rama, ardhjen e afganëve.

NB-ja vijon me retorikën se mbërritja e tyre lidhet me “planin” e zvogëlimit të pakicave minoritare greke – sidomos në zonën e Himarës – edhe pse vendet e caktuara për qëndrimin e afganëve janë Tirana, Durrësi, Berati dhe së fundmi Lezha.

“Qeveria Rama”, shkruan News Break, “shprehu gatishmërinë për të’i ‘akomoduar’ refugjatët afganë që largoheshin nga vendi, duke argumentuar se rimburson mbështetjen e SHBA-ve dhe aleatët e tjerë të NATO-s për pranimin e Shqipërisë në institucionet euro-atlantike”.

NB-ja përmend të njëjtën shifër si europost prej 70 mijë afganësh që, sipas portalit, do popullojë territoret e banuara nga pakica greke.

E vetmja risi në lajmin e News Break, por që i përket një problemi “të vjetër” ideologjik – është fakti që ky plan potencohet nga ndërgjegjja e tij aleate – ajo, turke.

“Gjëja shqetësuese”, vijon NB-ja, “është se, sipas Ramës, ky nuk është një vendbanim ‘i përkohshëm’ i refugjatëve, siç vuri në dukje ai, por edhe një i përhershëm, nëse këta refugjatë e dëshirojnë atë”.

Në të njëjtën linjë qëndron edhe portali SLpress, që e quan “rrezik për Ballkanin” ardhjen e afganëve në Shqipëri.

Nga njëra anë, sipas portalit, stimulohet Islami, i cili, në versionin e tij ballkanik, është përgjithësisht i moderuar, pasi ka grumbulluar përvojën historike të jetesës me të krishterët.

“Nga ana tjetër (dhe kjo është më e rëndësishmja) duke mbledhur në Shqipëri të gjithë këta myslimanë, të cilët konsiderohen heretikë për bashkëfetarët e tyre të zellshëm, për shkak të bashkëpunimit të tyre me Perëndimin, këto vende bëhen objektiv”, shkruan SLpress.

Sipas portalit, kjo situatë e rrezikshme mund të marrë një karakter të përhershëm.

Kjo, nëse Shqipëria, sipas tyre, i përgjigjet thirrjes së Erdoganit për veprim të përbashkët në Kabul, ajo jo vetëm që do të konfirmojë se është në thelb një satelit i Ankarasë.

Ai gjithashtu do të kontribuojë në skenarin që kërkon paqëndrueshmëri në Ballkan dhe forcon më tej pozicionin dhe rolin e Islamit në këtë rajon.

Portali grek “Defence Point” aludon gjithashtu se qeveria shqiptare mund të instalojë refugjatë afganë në jug të vendit, duke bërë kështu “presion mbi pakicën greke me justifikimin se rajoni nuk do të banohej nga grekë”.

Përveç kësaj, thekson “Defence Point”, një problem i ri mund të lindë.

“Me kufijtë shqiptarë të mbrojtur dobët, shumë afganë po përpiqen të hyjnë ilegalisht në Greqi”, shkruan DP-ja.

Mbërritja 

Në orët e para të mëngjesit të 30 gushtit, në Aeroportin e Rinasit kanë mbërritur edhe 150 qytetarë të tjerë afganë.

Aeroplani i linjës “ALMASRIA”, që ishte nisur nga Abu Dhabi, u ul në Shqipëri rreth orës 05:00 të mëngjesit.

103 prej tyre janë akomoduar në Qytetin Studenti dhe 47 të tjerë në struktura hoteliere në Durrës.

Në total, numri i afganëve që kanë mbërritur në Shqipëri arrin në 607. Kjo, për katër ditët e fundit.

Qeveria shqiptare mbetet e palëkundur në qëndrimin e saj për t’i strehuar këta shtetas.

E ka theksuar këtë gjë si kryeministri Edi Rama, ashtu edhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka.

Strukturat akomoduese janë gati dhe të pajisura me çdo mjet të nevojshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore