Lajme

Reciprocitetin dhe targat s’i diskutojmë në Bruksel, thotë Kryeziu


Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se në takimin e 18 gushtit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nuk do të flitet për dy vendimet e Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin në dokumente dhe targat.

“Për agjendën e takimit do t’ju njoftojmë me kohë. Vendimet për targa dhe dokumente për hyrje-dalje janë vendime të qeverisë, që janë të parapara edhe në marrëveshjet për të cilat palët janë dakorduar në të kaluarën, andaj ato nuk mund të jenë temë diskutimi e këtij takimi”, tha Kryeziu në një përgjigje me shkrim për KosovaPress.

Në takimin e radhës, të akorduar me 18 gusht mes Kurtit dhe Vuçiç-it, do të jetë i pranishëm edhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borell, përveç të dërguarit special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Në një përgjigje për Albanian Post, Peter Stano, zëdhënësi kryesor i BE-së për çështje të jashtme, konfirmoi se përveç pranimit të ftesës nga dy liderët ballkanas, temat e takimit kanë të bëjnë me rrugën përpara që duhet të marrë dialogu në Bruksel.

“Mund ta konfirmoj se Përfaqësuesi i Lartë Josep Borell ka ftuar të dy palët në Bruksel, presidenti Vuçiç dhe kryeministri Kurti kanë pranuar ftesat dhe do të mirëpritën në Bruksel me 18 gusht, nga Përfaqësuesi i Lartë dhe përfaqësuesi special, Miroslav Lajçak, për të diskutuar rrugën përpara në Dialogun Prishtinë Beograd”.

Se cilat do jenë temat konkrete, Stano tha se do të tregohet më vonë, kur “të afrohet data e takimit”.

Ky takim vjen pas tensioneve të së dielës mbrëma, kur Kosova provoi të aplikoi reciprocitet me Serbinë sa u përket targave dhe hyrje/daljeve të shtetasve serbë, por që u tërhoq me kërkesë të ndërkombëtarëve, duke pranuar propozimin e Borell për një muaj shtyrje të vendimit.

Takimi i fundit i Kurtit dhe Vuçiç-it kishte ndodhur në darkën jo formale me 5 maj në Berlin dhe ishte bërë i ditur për media përmes një fotografie, ku bashkë me Lajçak kishin darkuar në një rezidencë shtetërore të Gjermanisë.

Takimi pati ndodhur pasi paraprakisht Kurti e Vuçiç veç e veç ishin takuar me kancelarin gjerman Olaf Scholz.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore