Lajme

Vuçiç poston foto me Kurtin e Lajçak: Faleminderit mikpritësve gjermanë për organizimin e dialogut


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti janë takuar në Berlin të Gjermanisë pas bisedimeve të veçanta me kancelarin gjerman Olaf Scholz.

Vuçiç ka postuar një fotografi në Twitter ku ndodhet së bashku me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak dhe Kurtin.

“Faleminderit mikpritësve gjermanë për organizimin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, ka shkruar Vuçiç.

Ndërkaq më 29 prill, zyra për media e qeverisë gjermane përmes një përgjigje me shkrim për Albanian Post patën njoftuar se pas takimeve, në mbrëmje do të ketë edhe një darkë ku Lajçak do të bisedojë me Kurtin dhe Vuçiç në lidhje me dialogun.

“Takimet e Kancelarit Scholz me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç do të jenë ndaraz, dhe pastaj do të ketë një darkë”, pati thënë një zyrtar për media i qeverisë gjermane.

Ndryshe Kancelari gjerman në një konferencë të përbashkët për media, pas takimit me kryeqeveritarin kosovar, theksoi se çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidhen hap pas hapi me idenë që të kulmojë në paqen dhe stabilitetin rajonal.

“E inkurajova kryeministrin Kurti që të ketë qasje konstruktive në dialogun e Brukselit”, shtoi Scholz.

Mes tjerash ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe krijimit të një tregu të përbashkët rajonal brenda Procesit të Berlinit.

“Procesi i Berlinit ka dhënë kontribut shumë të madh rreth bashkëjetesës në Ballkan, ai duhet të ringjallet”, saktësoi kancelari.

Në anën tjetër, i pari i ekzekutivit kosovar, bëri të ditur se Kosova është pala konstruktive në raport me dialogun dhe se sipas tij njohja reciproke duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë, e jo në fund.

“Jemi të përkushtuar që të ecim shpejtë, të kemi rezultate konkrete dhe të bashkëpunojmë shumë. Kosova në raport me dialogun jep propozime në linjë me vlerat e përbashkëta me Bashkimin Evropian”, ka thënë Kurti.

Kurti më tej gjatë fjalimit të tij konfirmoi se Kosova është mbështetëse e Procesit të Berlinit dhe tregut të përbashkët rajonal, e assesi iniciativave të cilat janë paralele.

“Procesi i Berlinit i ka katër liritë prandaj edhe nuk mbështesim iniciativat e tjera paralele. Për Kosovën është e rëndësishme që qytetarët të jenë përfituesit më të mëdhenj”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore