Sport

Real Madrid ose Premier League – opsionet e Haaland mbesin vetëm dy


Çdo ditë e më shumë po afrohet merkato e verës 2022, merkato e cila pritet të trazojë ujërat në sportin e futbollit.

Erling Braut Haaland, Kylian Mbappe, Paul Pogba dhe shumë emra tjerë të mëdhenj por edhe talenta të rinj janë të paqartë për të ardhmen e tyre.

I pari, vazhdon të mbetet njëri ndër emrat më të përfolur të merkatos.

Por, dita ditës, emrave në listën e tij po iu shkruhet vija mbi.

Pra, ngadalë, ideja e tij po bëhet më e qartë dhe e ardhmja e tij po zbardhet me një ritëm të ngadaltë por të sigurt.

Sipas klauzolës në kontratën e tij, verën e ardhshme, Erling Haaland do të jetë i disponueshëm për 70 milionë euro.

Duke marrë parasysh potencialin e tij, elitarët e Evropës janë hedhur në sulm për shërbimet e tij.

Sipas raportimeve që vijnë nga Spanja dhe Anglia – Haaland ka vendosur për vendimin që duhet të marrë.

Erling Haaland do të bashkohet sezonin e ardhshëm me Real Madrid-in ose me një klub nga Premier League.

Fjalët e Mino Raiola-s një ditë më parë, lënë të kuptohet që opsionet e Erling Braut Haaland janë dy, Real Madrid-i ose Manchester City.

Të parët janë favoritët që të sigurojnë edhe shërbimet e Kylian Mbappe-s, andaj nuk dihet se si Haaland do ta pëlqente këtë gjë.

Të dytët, janë dëshpërimisht në nevojë për një sulmues – dhe Erling Haaland shihet si zgjidhja e çdo shqetësimit oër qytetarët.

Se si do të vendosë Haaland, mbesin edhe pak më shumë se shtatë muaj që të kuptohet, por klubi i tij i ardhshëm, me plot kuptimin e fjalës do të shtoj në skuadër një nga shtyllat e së ardhmes së futbollit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore