Lajme

Reagon NATO pas rrëzimit të dronit në Zagreb


Organizata ushtarake Veri Atlantike (NATO) ka reaguar me shumë vonesë dhe shumë shkurt për dronin i cili u rrëzua mbrëmë në Zagreb të Kroacisë.

Sipas NATO-s, kjo organizatë kishte ndjekur me kujdes lëvizjen e këtij objekti.

“Mbrojtja e integruar ajrore dhe raketore e NATO-s ndoqi trajektoren e objektit që përfundimisht u shemb në Zagreb”.

“Autoritetet kroate kanë njoftuar se po hetojnë incidentin”, thuhet në reagimin e NATO-s të publikuar nga korrespondenti i Veçernji list nga Brukseli, Tomislav Krasnec.

Droni që u rrëzua në Jarun të Zagrebit të enjten e 10 marsit rreth orës 23:00, kishte kaluar më shumë se 40 minuta në hapësirën ajrore hungareze dhe shtatë minuta në hapësirën ajrore, shtete këto anëtare të  aleancës NATO.

Droni kishte fluturuar me një shpejtësi prej 700 km/h në një lartësi prej 1300m, ndërsa pas rrëzimit përveç dëmeve material që kishte shkaktuar, pas vetës la një krater mjaftë të madh.

Ndërsa Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç ka mbajtur një takim urgjent me krerët e Forcave të Armatosura të Kroacisë dhe agjencitë tjera të sigurisë dhe inteligjencës pas incidentit me dronin e prodhimit rus.

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç

Milanoviç ka deklaruar se nuk kanë pasur informacion paraprak për këtë fluturim.

“Nuk kemi marrë informacion paraprak. Ka fluturuar mbi Hungari mbi 40 minuta, mbi Kroaci për pak më shumë se 7 minuta, është një incident i rëndë, po bëhen hetime, por ne duam të përcaktojmë të gjitha detajet”, ani pse ai erdhi nga territori i Ukrainës.

“Vlerësojmë se kjo nuk është e drejtuar kundër Kroacisë dhe se ky është vetëm një incident”, ka  deklaruar ai.

Ai është pyetur se a do ta ftoj ambasadorin e Ukrainës për të folur lidhur me incidentin, por se një gjë të tillë ka deklaruar se nuk do ta bëjë për shkak se në Ukrainë  është duke u zhvilluar një luftë dhe pasi që “askush nuk u vra. Nuk ka nevojë që dikush ta ftoi ambasadorin ukrainas tani”.

Droni Tu-141 Swift i Tupolev ishte një dron zbulues sovjetik në shërbim të Ushtrisë së Kuqe Sovjetike dhe shumë prej aleatëve të saj të Traktatit të Varshavës dhe Lindjes së Mesme gjatë fundit të viteve 1970 dhe 1980.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore