Lajme

Reagon kryeministri Kurti pas vrasjes së dyfishtë në Pejë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Pas vrasjes së dyfishtë në orët e vona të së mërkurës në qytetin e Pejës ka reaguar edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti ka thënë se është i tronditur nga ngjarja e rëndë që ka ndodhur në Pejë, ku mbetën të vrarë, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për të parin e Pejës, Astrit Ademaj dhe ish kandidati i kësaj partie për qytetin e Deçanit, Blerand Kadrijaj.

Me anë të një postimi në Facebook, kryeministri ka ftuar organet e rendit që rastin ta zbardhin me serioziteti të lartë.

“Ftoj organet e rendit që me seriozitetin më të lartë, sa më parë të zbardhin rastin e kësaj vrasjeje të dyfishtë”.

Ai u ka shprehur ngushëllime familjeve dhe bashkëpunëtorëve të viktimave.

“U shprehë ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave, miqve dhe bashkëpunëtorëve nga Partia Demokratike e Kosovës. Në këto momente të vështira bashkëndjejmë me dhimbjen e tyre për këtë humbje kaq tragjike”, thuhet ndër të tjera në postimin e Kurtit.

Për Albanian Post, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi ka thënë se në këtë incident janë lënduar tre persona ku dy prej tyre kanë ndërruar jetë në spitalin rajonal të Pejës.

“Rreth orës 20:20 në të mërkurën e 8 shtatorit Policia e Kosovës është njoftuar se në afërsi të shkollës së mesme ekonomike “Ali Hadri”, ka të shtëna me armë zjarri. Tre persona të lënduar janë dërguar në emergjencën e spitalit rajonal të Pejës ku dy persona nga tre të lënduarit kanë ndërruar jetë”, ka thënë Gashi.

Mjeku kujdestar në spitalin rajonal të Pejës, Sadri Berisha ka deklaruar se viktimat e këtij rasti janë sjellë në spital pa shenja jete dhe se nuk din a kanë vdekur në vendin e ngjarjes apo gjatë rrugës për në spital.

Ndërsa personi i tretë i sjellë në spital sipas Berishës “ka qenë i plagosur në shuplakën e dorës pa rrezik për jetën”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore