Kosova

Reagon KMDLNj: Pse duhet të paguajmë rrymën e katër komunave veriore?


Këshilli për Mbrojtjen e Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar pas paralajmërimit të Kryesuesit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), se në katër komunat veriore nuk do të ketë ngritje të çmimit të tarifave të energjisë elektrike.

Rritjen e çmimit të rrymës, KMLDNj në reagimin e tyre e konsideron të papërballueshme dhe diskriminuese.

Sipas tyre konsumatorët do të ndahen në grupe përfituese dhe ata që do “ndëshkohen sikur që liron nga çdo pagesë katër komunat e Veriut të Kosovës, ekskluzivisht sipas parimit etnik’”.

Ata presin që këto zhvillime do të shkaktojnë pakënaqësi sociale që do të rezultoj në protesta kundërshtuese dhe poashtu të ulin investimet shkaku i pasigurisë ekononike dhe politike.

“Po bëhet një luftë puro politike midis pozitës dhe opozitës në mungesë të vullnetit për të bërë zgjidhje në interes të qytetarit”, nisi reagimi.

“Pozita me këmbëngulësi po e mbronë ZRRE-në dhe kërkesën për rritje të çmimit të rrymës kurse opozita po e sulmon Qeverinë e Kosovës pse po ua paguan rrymën katër komunave të Veriut ndonëse të gjitha qeveritë paraprake e kanë bërë të njëjtin veprim”, vazhduan ata.

Kryetari i Bordit të ZRRE, para Komisionit parlamentar deklaroi se katër komuna të Veriut nuk janë përfshirë fare në propozimin për rritje të çmimit të rrymës.

KMDLNj shkruan që kur kanë dashur të ndërprejnë rrymën për katër komuna të Veriut, shumë vite më parë, nga KFOR ka ardhur një letër se nuk mund ta bëjnë këtë prandaj janë detyruar ta vazhdojnë furnizimin për këto komuna.

“Opinioni kosovar nuk ka qenë i informuar për këtë më parë. Meqë është krijuar një situatë tensionuese dhe një paqartësi për qytetarët e që po manipulohet nga opozita dhe pozita dhe për të sqaruar çështjen që do të ndikonte në shtensionimin e gjendjes , KMDLNj kërkon nga qeveritë e mëparshme një sqarim nëse ka patur bazë ligjore, marrëveshje detyruese të nënshkruar e për të cilën publiku nuk ishte informuar, apo zotim para ndërkombëtarëve ose ndonjë shantazhim që e arsyeton këtë pagesë të rrymës për katër komunat e Veriut ?!’”, shkruhet në reagim.

E njëjta pyetje ngritet edhe për qeverinë Kurti, që po vazhdon të paguajë rrymën për serbet e Veriut të Kosovës.

“Edhe qeveritë paraprake si dhe qeveria aktuale e kanë detyrim të sqarohen para qytetarëve të Kosovës , ndryshe do të jenë përgjegjës për plaçkitje të qytetarëve të Kosovës përmes faturimit të fryer dhe ndarjes së mjeteve për rrymë dhe shërbine të tjera për katër komunat në Veri të Kosovës përgjatë 20 vjetëve të fundit”, thuhet në reagim.

Në fund, KMDLNj bën me dije se do ta përkrahë çdo protestë paqësore që ka për qëllim mbrojtjen e interesit të qytetarit të Kosovës , pa bërë asnjë dallim në asnjë bazë.

Ata kundërshtojnë çdo protestë që ka qëllime politike duke keqpërdorur dhe manipuluar gjendjen e rënduar ekonomike të qytetarëve të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore