Lajme

Reagon Kisha Ortodokse Serbe, pas deklaratave të Kurti dhe Konjufcës


Manastiri i Deçanit

Deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe kryetarit të kuvendit, Glauk Konjufca, rreth çështjes gjyqësore të Manastirit të Deçanit, kanë bërë që Kisha Ortodokse Serbe të reagojë.

Në reagimin e kishës thuhet se deklarimet e Kurtit e Konjufcës janë të pavërteta për pronën e këtij manastiri, dhe se këto deklarata e minojnë vendimin e gjykatave, teksa këtë e quajnë të paprecedentë në rajon.

“Thelbi i vetëm i deklaratave të të gjithë këtyre zyrtarëve është se në fakt asnjë ligj apo vendim gjyqësor nuk zbatohet për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë”.

“Nëse e shikojmë shkurtimisht vetë procedurën gjyqësore, mund të shohim se ajo ka zgjatur gjashtëmbëdhjetë vjet para gjykatave të Kosovës. Gjatë atij procesi Manastiri i Deçanit ka pësuar jo vetëm kërcënime, por edhe sulme fizike dhe të armatosura, protesta të organizuara, tentime për të bllokuar hyrjen në manastir dhe fushata shpifjeje”, thuhet në reagimin e kishës.

Më tej, ata thonë se kjo çështje nuk mund të krahasohet me asnjë, siç e quajnë ata, propagandë të pas Luftës së Dytë Botërore.

“Edhe pas një procesi të tillë, institucionet vendore vazhdojnë të refuzojnë zbatimin e vendimit dhe ndryshimin e kadastrës (për gati gjashtë vjet), pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili si i tillë është përfundimtar dhe i parevokueshëm”.

“Veprime të tilla jo vetëm që pasqyrojnë situatën në institucionet e Kosovës, por edhe zbulojnë diskriminim të hapur ndaj Kishës Ortodokse Serbe. Për më tepër, veprime të tilla tregojnë qartë se si do të ishte fati i Kishës Ortodokse Serbe në këtë zonë, nëse do të lihej tërësisht në mëshirën e institucioneve të Kosovës, nga cilido grup politik”, thuhet më tej në reagim.

Manastiri i Deçanit

Dioqeza e kësaj kishe më tej thotë se institucionet e Serbisë bëjnë thirrje të vazhdueshme për dialog me Kosovën, por sipas tyre, dialogu nuk është i mundur me ata që në çdo hap demonstrojnë diskriminim të hapur etnik e fetar si dhe mos gatishmëri për të respektuar ligjet e tyre.

“Që nga dita e parë pas konfliktit të armatosur të vitit 1999, Kisha jonë mori pjesë në dialogun me institucionet e Kosovës dhe punoi aktivisht në ndërtimin e besimit dhe urave, gjë që është e njohur për komunitetin ndërkombëtar”.

“Prandaj, zbatimi i këtij vendimi nga kjo apo një nga qeveritë e ardhshme është një kusht i domosdoshëm për të na treguar se dialogu nuk do të ishte vetëm një shfaqje për kamerat dhe zyrtarët e huaj dhe se ekziston një gatishmëri e vërtetë për të ndalur një fushatë sistematike diskriminimi dhe armiqësi të hapur ndaj kishës ortodokse serbe”, thuhet në deklaratën e kishës.

Komunikata e kishës vazhdon duke thënë se institucionet e Kosovës kanë ende çështje të hapura dhe obligime të paplotësuara, por, sipas tyre, zgjidhja e çështjes së tokës së Manastirit të Deçanit është minimumi i nevojshëm për të ecur para.

“Trajtimi i vazhdueshëm publik i Kishës sonë si një institucion politik apo një përfaqësues politik, i cili është i pabazuar, tregon një keqkuptim themelor të konceptit të lirisë dhe barazisë së institucioneve fetare në një shoqëri moderne demokratike”.

“Deklaratat e papërgjegjshme mediatike, komentimi arbitrar i vendimeve të formës së prerë të gjykatës dhe krijimi i konfuzionit në opinion rrezikojnë gjithashtu sigurinë e Kishës Ortodokse Serbe, vendet e saj të shenjta, priftërinë, manastiret dhe besimtarët dhe është në kundërshtim me të gjitha standardet ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e kishës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Gjatë një konference për medie më katër shkurt, kryeministri Albin Kurti ka folur për Manastirin e Deçanit. Ai tha se do të angazhohen për ruajtjen e të drejtave legjitime.

Shtetet e QUINT-it kanë kërkuar zbatimin e vendimit për Manastirin e Deçanit, mirëpo Kurti ka thënë se Manastirit i Deçanit siç e dimë të gjithë është pjesë e një mozaiku të pasur kulturor të Kosovës.

Ai tha se Kisha Ortodokse Serbe është ajo që është keqpërdorur vazhdimisht nga Serbia si instrument politik kundër Kosovës dhe shqiptarëve.

Kurti gjithashtu tha se liderët fetarë të Manastirit duhet të kërkojnë zgjidhje përmes dialogut e marrëveshjes me popullatën lokale.

“Çështja e pronësisë së tokave përreth Manastirit nuk ishte vendosur nga ndonjë gjykatë përkatëse dhe Gjykata Kushtetuese, besoj që nuk është dashur të marr vendim mbi një çështje pa u konsumuar të gjitha shkallët e tjera juridike. Manastirit i Deçanit siç e dimë të gjithë është pjesë e një mozaiku të pasur kulturor të Kosovës”.

“Fatkeqësisht, Kisha Ortodokse Serbe është ajo që është keqpërdorur vazhdimisht nga Serbia si instrument politik kundër Kosovës dhe shqiptarëve. Ne do të angazhohemi maksimalisht që të ruhen të drejtat legjitime të Manastirit por edhe liderët fetar të Manastirit ta bëjnë pjesën e tyre duke kërkuar zgjidhje përmes dialogut e marrëveshjes me popullatën lokale dhe unë besoj që një gjë e tillë që është e mundur”, ka deklaruar Kurti.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca

Ndërsa më 13 janar, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca i është përgjigjur sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i cili i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për zbatim të vendimit për Manastirin e Deçanit. Konjufca në emisionin Pressing në T7, thotë se çështja e Manastirit të Deçanit është “problematike”.

“Me Manastirin është problem shumë i madh qysh ka vendos Gjykata aty. Unë e di që vendimet e gjykatave janë të pa komentushme mirëpo unë mendoj që precedenti për Kosovën që mundet me prodhuar është i krahasueshëm me Zajednicën”, tha Konjufca.

“E kemi të qartë që vendimi gjyqësor është marrë. Është sipas një vendimi por i Millosheviçit është ai por Gjykata e Kosovës edhe me fajin tonë e ka marrë atë vendim”, shtoi ai.

“Edhe me fajin e Komunës se Komuna nuk ka shkuar me mbrojt çështjen. Komuna e Deçanit e ka një përgjegjësi po aq sa gjyqtarët që e kanë marrë atë vendim. Por unë me ju po du me nda edhe diçka tjetër. Nuk e përjashtoj që institucionet e rendit, sigurisë dhe të drejtësisë me ardhë deri te një konstatim se ky është një rast edhe i korrupsionit prej gjyqtarëve”, theksoi Konjufca.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore