Lajme

Reagon Këshilli gjyqësor i Kosovës për audio-incizimet e publikuara


Këshilli Gjyqësor i Kosovës

Të premten, në gazetën online Shqip.com, janë publikuar disa audio-incizime që kanë të bëjnë me sektorin e drejtësisë, të cilat hedhin dyshime në prokurori për keqpërdorim të detyrës dhe korrupsion.

Lidhur me këtë të mërkurën ka reaguar Këshilli Gjyqësor i Kosovës, që ka theksuar se po i ndjekë me vëmendje zhvillimet e fundit dhe se do të veproj sipas procedurave dhe afateve të cilat përcaktohen me Rregulloren për Procedurën Disiplinore të anëtarëve të KGjK-së

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), po ndjek me vëmendje zhvillimet e fundit lidhur me publikimet e përgjimeve nga Gazeta Shqip, nga data 30 korrik 2021, rreth bisedave telefonike të regjistruara në mes të subjekteve të ndryshme, ku përfshihet edhe një anëtar i KGjK-së”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim bëhet e ditur se ky këshill do të vazhdojë të përcjell situatën.

“Andaj, në pajtueshmëri me përgjegjësitë ligjore që ka ky Këshill, do të vazhdojë të përcjell situatën dhe do të veproj sipas procedurave dhe afateve që përcaktohen me Rregulloren për Procedurën Disiplinore të anëtarëve të KGjK-së”.

Ndërkaq, më 3 gusht, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, përmes një statusi në Facebook, ka njoftuar se e ka shkarkuar Drejtorin e Njësisë për Inteligjencë Financiare, Dardan Nuhiun.

“Pas shqyrtimit të audioincizimeve të publikuara në media dje e sot, të cilat implikojnë Drejtorin e Njësisë për Inteligjencë Financiare, Bordi Mbikëqyrës, në mbledhjen e mbajtur sot, morri vendim që të njëjtin ta shkarkojë me efekt të menjëhershëm”, ka shkruar Murati.

Në audio-incizimet e transmetuara nga Shqip.com, Nuhiu tregonte për forcën që ka te bizneset dhe politika dhe për skemën që ka përgatitur se si t’i marrë nën kontroll të gjitha.

Ndër të tjera ai, në një bisedë dëgjohet të thotë se për 2-3 vjet do të marrë nën kontroll disa media të forta dhe se do të realizojë planin e tij.

Në këto përgjime, thuhet se Nuhiu është i përfshirë edhe në shpërndarjen e informatave në lidhje me dyshimin për pastrim të parave dhe financim të terrorizmit tek autoritetet kompetente – tregon se i kontrollon edhe personat brenda drejtësisë.

Nuhiu mban këtë post nga viti 2011.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore