Kosova

Reagimet e liderëve kosovarë pas aksidentit tragjik në Bullgari


Pamje nga aksidenti në Bullgari

Të menjëhershme kanë qenë reagimet nga liderët kosovarë, pas aksidentit tragjik të ndodhur në orët e para të 23-nëntorit në Bullgari, ku mbetën të vdekur të paktën 46 persona, ndërsa 45 prej tyre ishin shqiptarë nga Maqedonia e Veriut.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas aksidentit tragjik në Bullgari, ndërsa përmes një postimi në Facebook, u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave.

Mes tjerash, Kurti, ka theksuar se Kosova është e gatshme të ofrojë ndihmën e saj në çdo kapacitet.

Albin Kurti – Kryeministër i Kosovës

“I trishtuar dhe i pikëlluar nga lajmi për aksidentin tragjik në Bullgari. Shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe ndaj dhimbjen me familjet e viktimave, dhe u bashkohem lutjeve për shërim sa më të shpejtë të të lënduarve”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Republika e Kosovës bashkëndjen me Maqedoninë e Veriut, popullin e saj dhe të gjithë shqiptarët e tronditur nga ky lajm i kobshëm, dhe shprehë gatishmërinë e plotë për të ofruar ndihmën e saj në çdo kapacitet”, ka shtuar ai.

E trishtuar nga lajmi tragjik është shprehur edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila u ka shprehur ngushëllimet e saj popullit dhe autoriteteve të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

Osmani është zotuar t’iu qëndrojë afër shteteve të prekura nga kjo fatkeqësi, teksa ka rikujtuar aksidentin e ndodhur në Kroaci, në korrikun e këtij viti, ku humbën jetën 10 persona me prejardhje nga Kosova dhe mbeten të plagosur dhjetëra të tjerë.

Vjosa Osmani – Presidente e Kosovës.

“U shprehim ngushëllime popullit dhe autoriteteve të fqinjit tonë, Maqedonisë së Veriut, prej nga vinin shumica e udhëtarëve, si dhe atyre të Bullgarisë, në tokën e të cilëve ndodhi tragjedia”

“Republika e Kosovës vetëm pak kohë më parë e përjetoi një tragjedi të tillë dhe i di mirë përmasat e dhimbjeve të tilla, por edhe nevojën për të reaguar shpejt, prandaj do t’u qëndrojmë afër miqve tanë në këto momente të vështira për ta”, ka shkruar presidentja kosovare në Facebook.

Ndërkaq, lidhur me aksidentin në Bullgari, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka shkruar – “Ky mëngjes na tronditi me lajmin e hidhur për tragjedinë e ndodhur ne Bullgari. 46 qytetarë të Maqedonisë së Veriut njoftohet se kanë humbur jetën në autobusin që po kthehej nga Turqia”.

Glauk Konjufca – Kryetar i Kuvendit të Kosovës.

“Ngushëllime familjarëve të viktimave, bashkëndjejmë dhe jemi me ta në këtë tragjedi, si dhe lutemi për shërimin sa më shpejtë të të lënduarve”, shkroi ai tutje në postimin e tij në Facebook.

I pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, po ashtu ka shprehur ngushëllimet e tij për familjarët e viktimave të aksidentit tragjik në Bullgari, ndërsa ka bërë të ditur se telegram ngushëllimi i ka dërguar edhe kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev.

Lumir Abdixhiku – Kryetar i LDK-së.

“Lajmi për humbjen tragjike të 46 jetëve në aksidentin fatal në Bullgari, na lë pa fjalë e me dhimbje shumë secilin prej nesh. Në këto momente të vështira, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve dhe të afërmve të viktimave”.

“Në emër të LDK-së, sot në mëngjes i kam shprehur ngushëllime dhe Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Në anën tjetër, edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, është shprehur i trishtuar nga lajmi për aksidentin tragjik në Bullgari, ndërsa ka ngushëlluar familjarët e viktimave.

“I tronditur e i prekur thellësisht nga tragjedia në Bullgari, që mori jetën e 46 qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, bashkëkombësve tanë shqiptarë dhe familjeve të të gjithë viktimave ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta, për shuarjen e më të dashurve të tyre”.

“Përballë kësaj ngjarjeje kaq tragjike, lutemi për shërim të shpejtë të të mbijetuarve dhe për durim e forcë për familjarët e viktimave. Në këtë ditë të rëndë, mendjet dhe zemrat tona janë me të gjithë të prekurit e kësaj tragjedie”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behxhet Pacolli, ishte ndër të parët që u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave

Behxhet Pacolli – Kryetar i Aleancës Kosova e Re.

“Dhimbje e madh dhe trishtim për humbjen aksidentale tragjike të jetës së bashkëkombësve tanë nga Maqedonia e Veriut”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

“Në këto çaste shumë të rënda i shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve dhe autoriteteve të Maqedonisë së Veriut. Lutem dhe uroj shërim sa më të shpejtë dhe të plotë për të mbijetuarit”, ka shtuar ai.

Rreth aksidentit me fatalitet që ndodhi në autostradën Struma, e cila gjendet afro 45 kilometra në perëndim të kryeqytetit bullgar – Sofjes, ka reaguar edhe ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj.

Përmes një postimi në Facebook, Hoxhaj, po ashtu ka shprehur ngushëllimet e tij për familjarët e viktimave.

Enver Hoxhaj – Ish Ministër i Jashtëm.

“I trishtueshëm lajmi për aksidentin tragjik në Bullgari, ku humbën jetën 46 qytetarë nga Maqedonia e Veriut”, ka shkruar ai në Facebook.

“Bashkë ndiej me anëtarët e familjeve të të aksidentuarve! Ngushëllime familjeve dhe gjithë vendit”, ka shtuar Hoxha.

Ngushëllimet e tij drejtuar familjarëve të viktimave i ka shprehur edhe Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i cili përmes një postimi në Facebook, po ashtu u ka uruar shërim të shpejtë pasagjerëve që i mbijetuan aksidentit.

Armend Mehaj – Ministër i Mbrojtjes.

“Dhembje shumë e madhe me rastin e humbjes së jetës së 46 qytetarëve nga Maqedonia e Veriut në aksidentit tragjik në Bullgari”.

“Ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave dhe shërim të shpejtë të lënduarëve”, ka shkruar mes tjerash, Mehaj.

Pa reaguar nuk ka mbetur as kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili përmes një postimi në Facebook, i ka shprehur ngushëllimet e tij.

Ramush Haradinaj – Kryetar i Aleancës Kosova e Re.

“Dhimbje e madhe për dhjetëra jetë të humbura, shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, në aksidentin tragjik në Bullgari”.

“Në këto momente të vështira, jemi pranë familjeve të viktimave e lutemi që të shërohen të lënduarit. Zoti u dhashtë forcë familjeve dhe mbarë kombit”, ka shkruar Haradinaj.

Ndryshe, sipas autoriteteve bullgare, ky incident ndodhi në një autostradë të Bullgarisë perëndimore.

Gjendja e autobusit pas aksidentit.

“Mes viktimave kishte dhe fëmijë. Shtatë persona me djegie u dërguan në spitalin e kryeqytetit, Sofje”, tha për televizionin BTV kreu i departamentit të sigurisë nga zjarri në Ministrinë e Brendshme bullgare, Nikolai Nikolov.

“Të paktën 45 njerëz u vranë pasi një autobus mori flakë dhe u rrëzua, ose u përplas dhe më pas mori flakë”, tha Nikolov.

Një zyrtar nga spitali i urgjencës së Sofjes tha se shtatë personat që po merrnin trajtim ishin hedhur nga autobusi që po digjej.

Të gjithë janë në gjendje të qëndrueshme për jetën.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha se pasagjerët po ktheheshin në Shkup pasi një udhëtimi në fundjavë në Stamboll.

Aksidenti ndodhi në autostradën Struma rreth 45 kilometra në perëndim të Sofjes rreth orës 2 të mëngjesit.

Shumica e viktimave ishin nga Maqedonia e Veriut, tha për BTV-në një zyrtar nga ambasada e Maqedonisë së Veriut në Sofje.

Deri më tani hetimet dyshojnë se dy janë shkaqet që kanë dërguar në këtë aksident tragjik.

E para ka të bëjë për një defekt teknik të mjetit dhe e dyta me përgjumjen e shoferit.

Shërbimi Hetimor Kombëtar ka marrë përsipër hetimin për shkak të numrit të madh të viktimave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore