Lajme

Rasti tragjik në Lipjan, Kurti i shpreh ngushëllime familjes


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas rastit tragjik që ndodhi këtë të premte, ku janë gjetur të vdekur tre pjesëtarë të një familje nga fshati Rufc i Komunës së Lipjanit.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti tha se është “i trishtuar pamasë nga lajmi i kobshëm për vdekjen tragjike të tre antarëve të familjes Bekteshi”.

“Përtej rrethanave që do të sqarohen nga autoritetet, tronditje të tilla lënë boshllëk në zemrat e secilit prej nesh. Sot, jemi pranë familjarëve e miqve të viktimave”, theksoi ai.

Ndërkaq, kreu i ekzekutivit kosovar potencoi se “familjes Bekteshi i shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e madhe, sikurse edhe të gjithë qytetarëve të Komunës së Lipjanit”.

Ndryshe, tre persona janë gjetur të vdekur në fshatin Rufc të Lipjanit, pasditen e kësaj të premte.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Rreth orës 16:30 policia ka pranuar informatën për tre persona të pajetë në fshatin Rufc të Lipjanit. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes ku janë hasur tre trupa të pajetë”.

“Vdekja e të cilëve është konstatuar nga ana e ekipit mjekësor”, tha Ahmeti për AP.

Ajo u shpreh se policia ka nisur një hetim për rastin dhe rrethanat që karakterizojnë ngjarjen.

“Aktualisht policia ka nisur një hetim për rastin dhe rrethanat që karakterizojnë ngjarjen”.

Ndërsa, Prokuroria informoi se dyshohet  për vrasjen e dy personave dhe një vetëvrasje.

Të vdekur janë gjetur burri, gruaja dhe djali i tyre.

Tre të vdekur në Lipjan, Policia nis hetimet

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore