Lajme

“Rasti Mehmetaj”, Çitaku: Marrëzia s’paska fund


Vlora Çitaku

“Marrëzia s’paska fund”, ka thënë Vlora Çitaku.

Këto komente, nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), i ka bërë duke komentuar rastin e kryeredaktorit të Albanian Post, Lirim Mehmetaj, i cili u ftua nga Prokuroria Themelore në Prishtinë në cilësinë e të pandehurit për veprën penale “nxitje e përçarjes dhe mosdurimit” pas një kallëzimi penal të dorëzuar nga eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) – partia në pushtet.

“Se a pajtohesh me Lirim Mehmetajn a jo, nuk është çështja”, shkroi Çitaku në Facebook, duke shtuar se “një deputet i VV-së me e konsideru të arsyeshme me e denoncu dikë, këdo, për nxitje të urrejtjes?!”

“Ju që keni shpallë tradhtarë, e kriminelë, e hajna gjithandej?!”, shtoi ajo, duke iu referuar deklaratave të rënda që anëtarët e VV-së – posaçërisht gjatë kohës sa ishin në opozitë – i kanë bërë ndaj personaliteteve të ndryshme publike, më së shumti kundërshtarëve politikë.

Për rastin në fjalë ka reaguar edhe nënkryetari tjetër i PDK-së, Uran Ismaili.

Ismaili, përmes një postimi në Facebook, thirrjen e gazetarit Mehmetaj nga Prokuroria e ka konsideruar si një “precedent i rëndë që cenon drejtpërdrejtë lirinë e shprehjes dhe minon demokracinë”.

“Kritika ndaj pushtetit, hulumtimet dhe numërimi i skandaleve, ngritja e zërit ndaj keqqeverisjes, është e drejtë e garantuar me kushtetutë”, shkroi ai.

Ai ka shtuar se nuk ka parti apo qeveri që e ndalon të drejtën e shprehjes, “që është një nga shtyllat dhe simbolet kryesore të lirisë së Kosovës”.

Uran Ismaili

“Nxitja e përçarjes tradicionalisht ka qenë dhe vazhdon të mbetet mjet i këtij pushteti. Në anën tjetër, liria e mediave dhe mendimi kritik janë të domosdoshme për një demokraci funksionale”.

Përpjekja për të intimiduar gazetarët dhe aktivistët qytetarë, mendon ish-ministri i Shëndetësisë, “duhet të kundërshtohet nga të gjithë”.

“Le të shërbejë ky rast si mundësi që kolektivisht t’i vendosim një vijë të kuqe tentativave autoritare për t’ua mbyllur gojën kritikëve”, përfundoi.

Lidhur me rastin e gazetarit Mehmetaj, ka pasur reagime të shumta nga shoqëria civile, personalitete të rëndësishme publike, opozita, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës etj, të cilët e kanë dënuar veprimin e prokurores për thirrjen e kryeredaktorit të AP-së në cilësinë e të pandehurit për veprën penale “nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi nëpërmjet një komunikate për shtyp të mërkurën se në çështjen e kallëzimit penal ndaj Mehmetajt, do të analizohen dhe vlerësohen veprimet e prokurores së rastit që mund t’i ketë tejkaluar kompetencat jashtëligjshëm.

“Megjithatë, në situatën konkrete, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, do të analizoj veprimet e prokurores së rastit për këtë çështje dhe do të vlerësoj nëse eventualisht ka tejkalim të kompetencave që nuk janë në përputhje me ligjin”, u tha në njoftimin e prokurorisë.

Reagimi i Prokurorisë Themelore në Prishtinë erdhi pas ftesës që u dërgua të martën në adresën e kryeredaktorit të Albanian Post për veprën penale “nxitje e përçarjes dhe mosdurimit” pas dorëzimit të një kallëzimi penal ndaj Mehmetaj nga pjesëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në pushtet.

Në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë thuhet ndër të tjera se Prokurori i Shtetit mbetet i përkushtuar për respektimin e lirisë së shprehjes dhe të drejtave të tjera të njeriut të cilat janë të garantuara në Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore