Lajme

Rasti i helmimit të 1500 qytetarëve në Deçan, Prokurorinë në konferencë për media


Klinika Emergjente në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Deçan

Prokuroria Themelore në Pejë këtë të hënë do të mbajë konferencë për media, ku temë diskutimi do të jetë hetimi i rastit të helmimit të qytetarëve në komunën e Deçanit vitin e kaluar.

Me simptoma të diarresë, të vjellave, dhembje të kokës, barkut dhe plogështi, rreth 1500 qytetarë të komunës së Deçanit u paraqitën në Klinikën Emergjente në Qendrën e Mjekësisë Familjare në po këtë qytet.

Nga e diela e dhjetë korrikut të vitit të kaluat, kur edhe u paraqitën rastet e para të këtij helmimi, numri i madh i qytetarëve që kërkuan ndihmë në këtë institucion të shëndetësisë, bëri që profesionistët e fushës të besonin se bëhej fjalë për një helmim nga uji i pijes.

Pas analizave të bëra nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, rezultatet nuk flasin për nje gjë të tillë.

Kështu Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, shpalli gjendje të jashtëzakonshme dhe më pas gati të gjitha institucionet qendrore zbarkuan në këtë qytet.

Kompania e ujësjellësit “Hidrodrini” kishte 18 pushimore të ujit në këtë komunë.

Një nga to u vizitua nga ekipi i Albanian Post, në afërsi të fshatit Hulaj në Deçan, ishte gjysmë e hapur, dhe kapaku i betonit mbi të ishte i lëvizshëm dhe i pa siguruar.

Drejtori i ujësjellësit rajonal Hidrodrini, Agron Tigani dhe ushtruesi i detyrës së menaxherit të ujësjellësit të Deçanit, Petrit Januzaj e mohonin kategorikisht se ato puseta mund të keqpërdoren lehtësisht nga keqbërësit.

Më 27 qershor, Naim Muçaj, pronari i një restorani, 500 metra në rrugë ajrore larg këtyre pikave të ujit, është vizituar nga dy të rinj serb, të cilët kishin ardhur me një veturë me tabela të Novisadit, të cilët e kishin pyetur për Manastirin e Deçanit.

Për shkak se këta djem i ishin dukur shumë të dyshimtë, Mucaj kishte njoftuar Policinë e Deçanit dhe u kishte përcjellë pamjet e kamerave të sigurisë, për t’i identifikuar ata.

Pas raportimit të Albanian Post, për pusetat e pa siguruara, Prokuroria Themelore në Pejë, kishte nisur hetimet për këtë rast helmimi. Me ç’rast ka lëshuar edhe një urdhër për intervistim të disa personave.

Shkodran Nikqi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Pejë, kishte thënë se Kryeprokurori i kësaj prokurorie ka caktuar dy prokurorë për këtë çështje.

“Si urdhëresë e parë ka qenë të bëhet sigurimi i vendit të ngjarjes si dhe sigurimi i videokamerave nga kamerat e sigurisë në atë rajon dhe pista të tjera të hetimit dhe gjithashtu të bëhet intevistimi i zyrtarëve të kompanisë ‘Hidrodrini’, zyrtarëve të qendrës së mjekësisë familjare në Deçan dhe personave të tjerë që kanë qenë pjesë e hetimit”, kishte shpjeguar në detaje Nikqi.

Për shkak se hetimet janë në fillim, Nikqi u lëshua në emra të zyrtarëve të cilët po intervistohen, por tha se ky proces tashmë ka filluar.

Ai nuk dha ndonjë shifër se sa persona do të intervistohen nga kjo prokurori, pasi sipas tij janë të dhëna konfidenciale, por që tha se intervistimi ka filluar.

“Ka fillu edhe intervistimi i zyrtarëve të cilët fillimisht janë duke u pranuar dhe informata ehe për çështje të menaxhimit edhe për çështje të tjera të cilat janë pjesë e hetimeve”.

“Është kofidencial edhe numri i zyrtarëve, por kryesisht ka filluar intervistimi i tyre dhe në vazhdimsi dy prokurorë dhe institucionet përkatëse në bashkëpunim me Policinë e Kosovës janë intenzivisht duke punuar në teren dhe në vazhdimësi ka veprime hetimore të cilat mund të rrjedhin nga vendi i ngjarjes”.

Pas raportimit të Albanian Post se një qytetarë shqiptarë kishte hasur në dy serbë të dyshuar, pak ditë para se të nisnin shenjat e para të helmimit, fotografitë e të cilëve tashmë i ka edhe Policia në Deçan e Pejë, Nikci thotë se aktualisht “nuk ka autorizim të flas në lidhje me këtë çështje”.

Gjatë ditës së djeshme, një ekipë e Albanian Post qëndroi në Deçan, tek pusetat ose pushimoret e ujit të kompanisë “Hidrodrini”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore