Lajme

“Raportimet se janë ulur kriteret kualifikuese për inspektorë të Arsimit janë të pabaza”, thotë MPB-ja


Ministria e Punëve të Brendshme.

Ministria e Punëve të Brendshme, pas raportimit se janë ulur kriteret kualifikuese për inspektorë të Arsimit në maj të këtij viti 2023, ka reaguar duke thënë se raportimet s’janë të vërteta.

Nga MPB-ja është sqaruar se kriteret e vendosura janë në përputhje me kërkesat e përgjithshme formale për kategorinë profesionale të nëpunësve civilë të përcaktuar sipas rregullores dhe se raportimet janë të pabaza.

“Raportimet e mediave se MPB ka ulur kriteret e përcaktuara për inspektorë të arsimit në nenin 9 të Ligjit Nr. 06/L-046 për Inspektoratin e Arsimit në Republikën e Kosovës janë të pabazuara, pasi që Ligji Nr. 06/L-144 për Zyrtarët Publikë që ka qenë në fuqi në kohën e shpalljes së konkursit, në nenin 85 ka përcaktuar se me hyrjen në fuqi të këtij ligji, shfuqizohet Ligji për Shërbimin Civil Nr. 03/L-149 i Republikës së Kosovës dhe çdo dispozitë tjetër në kundërshtim me këtë ligj”, thuhet në reagim.


Ministria ka thënë se kriteret e përcaktuara në konkurset për inspektor të arsimit në shtatë regjionet e Republikës së Kosovës të shpallura me datë 5 maj 2023, janë të përputhje të plotë me dispozitat e Ligjit për Zyrtarët Publikë.

Ky dikaster, që është përgjegjëse për rekrutimin e inspektorëve të Arsimit, si kritere kualifikuese për aplikuesit në konkurs ka vendosur shkollimin në nivel baçelor dhe përvojën e punës në mësimdhënie prej së paku 2 vjetësh.

Në Ligjin për Inspektoratin e Arsimit thuhet se “Inspektorët e arsimit zgjedhën në pajtim me procedurat e Ligjit për Shërbimit Civil”.

Përveç kushteve të parapara me Ligjin për Shërbimin Civil, kandidatët duhet t’i plotësojnë edhe këto kritere: 2.1. të kenë së paku titull master (300 ECTS); 2.2. të kenë të paktën pesë vjet përvojë pune në arsim. 2.3. të mos ketë ushtruar funksione politike në tre vjetët e fundit.

Më 2 tetor, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, kishte njoftuar se në mbledhjen e Qeverisë është votuar për rekrutimin e 20 inspektorëve të rinj, pasi Inspektorati i arsimit deri tash ka funksionuar me vetëm 30 inspektorë të cilët mbulojnë tërë Republikën e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore